Grabitje me armë në Lezhë, vritet 26-vjeçari nga maskat

Një i ri ka mbetur i vdekur nga breshëritë e plumbave gjatë një grabitjeje në Lezhë. Sipas burimeve, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një kamionçine që grumbullonte qumësht në Torovicë të Lezhës, duke shkaktuar vdekjen e 26-vjeçarit Ajet Qokthi. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si “Shkami i Kuq” në Torovicë, ndërsa burime nga policia bëjnë të ditur se, sipas hetimeve të para dyshohet se bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje.
Sipas të njëjtave burime, personat e armatosur i kanë dalë përpara kamionçinës me qumësht, me targë AA 553 BY, duke i kërkuar që të ndalonte, por shoferi A.Q., nuk u është bindur dhe ata kanë qëlluar me armë në drejtim të mjetit, duke vrarë pasagjerin 26-vjeçar Ajet Qokthi.
Dyshohet se personat e armatosur i zunë pritë makinës për të grabitur paratë që kishin me vete grumbulluesit e qumështit. Shoferi nuk ka ndaluar dhe ata kanë qëlluar me armë në drejtim të mjetit, duke vrarë pasagjerin 26-vjeçar Ajet Qokthi. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit. Mësohet se ndaj të njëjtit mjet është bërë edhe një tentativë grabitjeje, para tre vjetësh, në të njëjtën zonë.
“Më datë 27.09.2016, rreth orës 06:15, është marrë njoftim se në rrugën e vjetër për Torovicë, në kufirin ndarës me Shkodrën, ka ndodhur një vrasje. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se persona akoma të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti ‘Ford’, i cili po udhëtonte në drejtim të fshatit Torovicë. Në automjet lëviznin shtetasit A.Q., (drejtues mjeti) dhe Ajet Qokthi, 26 vjeç (pasagjer), të dy banues në Shkodër. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën Ajet Qokthi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kjo është vrasja e dytë që ndodh në Torovicë brenda pak ditësh, pasi ditë më parë në afërsi të kësaj zone mbeti i vrarë edhe polici Ardian Kodra, gjatë operacionit për neutralizimin e një personi të armatosur.

Pronari: Dy persona të maskuar qëlluan me armë

Kushëriri i viktimës, i cili ishte në të njëjtin mjet, duke mbledhur qumësht në Torovicë të Lezhës ka dëshmuar në polici. Agron Qokthi deklaroi se ishin dy persona të maskuar që u kishin dalë në pritë dhe kishin qëlluar me armë në drejtim të makinës së tyre. Ai tha se mjeti nuk kishte ndaluar dhe kishte vazhduar rrugën. Pronari i baxhos tha se në të njëjtin vend tri vite më parë ishte grabitur në të njëjtën mënyrë. “Kanë qenë dy persona të maskuar që na kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të makinës tonë. Ne nuk kemi ndaluar. Ne nuk kemi pasur konflikt me asnjë person, as unë as kushëriri im. Mendoj se kanë pasur qëllim grabitjeje”, ka deklaruar Agron Qokthi.
Nga ngjarja e rëndë humbi jetën shtetasi Ajet Qokthi, 26-vjeç. Autorwt të cilët mendohet se kanë qenë të paktën dy persona i kanë zënë pritw në një kthesw në zonë të pabanuar mjetit me të cilët po lëviznin kushërinjtw Qokthi dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku. Viktima ishte si pasagjer në mjet, ndërsa kushëriri i tij ishte drejtues i mjetit. Kujtojmë se drejtuesi nuk ka marrë asnjë plagë nga ngjarja.

Hetimet

Grupi hetimor ka marrë në pyetje personin që i shpëtoi atentatit, por të dhënat për identifikimin e autorëve kanë qenë të pakta. Pista kryesore është ajo e grabitjes. Autorët kanë pasur dijeni për itinerarin e kamionit të qumështit dhe kanë tentuar ta grabisin. Dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të tij për ta ndalur. Një grabitje e ngjashme u ka ndodhur kushërinjve edhe 3 vjet më parë.
Gjithsesi policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi që kanë të bëjnë me konkurrencën, konflikteve ose ndonjë hakmarrje të mundshme. Për të zbardhur marrëdhëniet e kushërinjve Qokthi, Policia e Lezhës po bashkëpunon edhe me Policinë e Shkodrës.
Ishte ora 6:15 minuta e mëngjesit të së martës, kur një breshëri automatiku është derdhur mbi kamionin që mblidhte qumështin e bagëtive në Torovicë të Lezhës. Për pasojë mbeti i vrarë në vend 26-vjeçari, Ajet Qokthi nga fshati Trush i Shkodrës. Ai ndodhej pasagjer në automjetin e drejtuar nga kushëriri i tij. Rrethanat në të cilat ndodhi krimi janë ende të paqarta, por dyshohet se autori i vrasjes nuk ka qenë i vetëm. Kamioni ka lëvizur edhe 50 metra të tjera dhe më pas ka ndalur. Drejtuesi i tij me iniciale A. Q., ka lajmëruar policinë, e cila është vënë në ndjekje të autorëve. Një grabitje e ngjashme u ka ndodhur kushërinjve edhe 3 vjet më parë.

R.POLISI