Ballina Sport Revolucion në mbrojtje

Revolucion në mbrojtje

Për një trajner të bindur se skuadra fituese krijohet rreth mbrojtjes solide, është i papranueshëm pësimi i 12 golave në katër ndeshje, ku vetëm në një rast ekipi e ka mbajtur rrjetën të paprekur.
Jo rastësisht, pas disfatës së rëndë që Chelsea pësoi në derbin me Arsenalin, Antonio Conte pranoi se e priste një natë e gjatë dhe pa gjumë, pas gabimeve difensive të dyshes së përbërë nga Branislav Ivanoviç dhe Gary Cahill. Dy lojtarë të destinuar të qëndrojnë në stol, por ndoshta edhe të largohen nga “Stamford Bridge”.
Rikthimet e John Terry dhe Kurt Zouma nga dëmtimet pritet të kufizojnë disi dëmët, ndërsa për t’u përforcuar te blutë e Londrës duhet të presin deri në hapjen e merkatos së verës. Pikërisht në atë periudhë, drejtuesi i stolit do të përgatitë revolucionin në mbrojtje, duke qenë se edhe Marcos Alonso, i cili ka luajtur vetëm 35 minuta dhe David Luiz, nuk e kanë bindur me formën e tyre.
Trajneri Conte ka përgatitur listën e shpenzimeve, ku kërkon afrimin në skuadër të dy mbrojtësve qendre dhe një mbrojtësi krahu. Gjatë ditëve të kaluara u përfol për interesimin serioz të Chelsea-t për Leonardo Bonuçin, për një ofertë rreth 58 milionë euro.
Megjithatë, prej konkurrencës nga Manchester City dhe synimit të Juventusit që të mos e shesë mbrojtësin, blutë kanë më tepër shanse të përforcohen në Angli dhe emrat e përfolur janë Michael Keane i Burnley dhe Ben Gibson i Middlesbrough. Trajneri po studion lëvizjet, për ta rikthyer Chelsea-n pretendent pas një sezoni zhgënjyes dhe për të evituar që aventura e tij në Premier League të përfundojë përpara kohe.
Arsenali fitoi derbin londinez në javën e gjashtë të Premier Ligës. “Topçinjtë” thyen 3-0 Çelsin, duke e zhytur akoma më thellë në krizë skuadrën e Antonio Kontes. Në “Emirates”, të besuarit e Vengerit mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, kur i shënuan të tre golat me Sançezin në minutën e 11-të, Uolkotin në të 14-n dhe Ozilin pesë minuta para pushimit. Disfata i lë blutë me 10 pikë në pozitën e tetë, kurse Arsenali ngjitet i treti me 13 pikë, aq sa Evertoni dhe Liverpuli.
Këta të fundit më herët shpartalluan 5-1 Hull Sitin. Në “Anfield Road”, skuadra e Jurgen Klopit shpërtheu me dopietën e Milnerit dhe golat e Lalanës, Manes dhe Kutinjos. Për miqtë, golin e nderit e realizoi Dejvid Mejler.
Nuk ndalet, ndërkaq Mançester Siti, që udhëheq renditjen me pikë të plota. Formacioni i Pep Guardiolës sot triumfoi 3-1 në Kardif përballë Suonsit falë dopietës së të rikthyerit Aguero dhe golit të Sterlingut. Vendasve nuk u mjaftoi barazimi i përkohshëm i Fernando Jorentes.

Exit mobile version