“FOX Sports”, elozhe Gashit

Goli i shkëlqyer i Shkëlzen Gashit në kampionatin amerikan të futbollit, MLS, ka bërë xhiron e botës. Goditja e dënimit me një trajektore perfekte e sulmuesit shqiptar e ka kthyer atë në një prej emrave më të lakuar në javën e fundit në SHBA, duke lënë në hije yjet e shumtë që militojnë në këtë kampionat.
Ndonëse ai gol shërbeu vetëm për një pikë, pas barazimit 3-3 të Kolorado me Vankuver, për sulmuesin shqiptar nuk kanë munguar elozhet, duke filluar nga trajneri Pablo Mastroeni, i cili në një konferencë për shtyp ku të gjithë e pyesnin vetëm për mbrojtjen e skuadrës së tij që kishte pësuar tri gola, i kushtoi vëmendje Gashit, duke e cilësuar si “fantastik”.
Ndërkaq, rrjeti sportiv “FOX Sports” nuk ka ngurruar ta cilësojë gjuajtjen e sulmuesit si “goditjen e dënimit perfekte”. “Kur ke një goditje dënimi nga rreth 30 metra, e kupton që të duhet një gjuajtje thuajse perfekte për të shënuar. Në fund të fundit, nuk është e lehtë ta gjuash fort sa për të mundur portierin, por të jesh përsëri në gjendje për ta harkuar topin mbi murin mbrojtës. Por mund të themi se Shkëlzen Gashi e gjuajti këtë në mënyrën perfekte.
Pamja e gjuajtjes nga pas është mahnitëse, as nuk duket reale. Vetëm një pamje e krijuar nëpërmjet kompjuterit mund ta zhvendosë topin në atë trajektore pikërisht aty ku Gashi donte ta dërgonte. Por është padyshim reale dhe ishte një gol i rëndësishëm”, shkruhej në komentin e rrjetit amerikan që i kushtoi një kronikë të veçantë sulmuesit shqiptar.
Tashmë do të jetë në dorën e tifozëve në SHBA që të vlerësojnë Gashin dhe gjuajtjen e tij perfekte. Goli i sulmuesit shqiptar është mes kandidatëve për “Golin e javës” në MLS. Në fazën e parë të votimeve ai do të përballet me një emër të njohur të futbollit europian, ish-sulmuesin e Real Madrid, Julio Baptista, e nëse kualifikohet më tej, edhe me ish-sulmuesin e Valencias, Atletiko Madrid dhe Barcelonës, David Vija.
Gashi e ka fituar edhe më parë trofeun për “Golin e javës”, kur realizoi në javën e 23 të kampionatit golin e parë në barazimin 1-1 ndaj LA Galaksi.