Barça, e frikshme!

Sulmi i Barcelonës mbetet më i frikshmi në Europë në këtë fillim sezoni. Ekipi blaugrana në ndeshjet e kampionatit dhe në Champions League ka mundur ta dërgojë plot 26 herë topin në rrjetë, me një mesatare të pakrahasueshme, 3.7 gola për ndeshje. Dëmtimi i Lionel Mesit, elementit kyç të kampionëve të Spanjë, nuk ndikoi aspak në fuqinë sulmuese të skuadrës në terma numerikë. Në El Molinon, kundër Sportingut të Gijonit, Barcelona shënoi 5 herë, me Neymar e Suarezin që mbajnë firmën e tri golave. Braziliani realizoi dopietë ndërsa uruguajani u mjaftua me një gol.
Në ndeshjet zyrtare të këtij sezoni Suarez ka mundur të shënojë 8 gola, ndërsa Neymar katër. Të dy janë gati për të marrë përgjegjësitë para portës kundërshtare në mungesë të Mesit, autor i 8 finalizimeve të tjerë. Kjo statistikë është mjaft domethënëse në prag të transfertës me Borussia Mönchengladbach në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe të Championsit.
Ndonëse Barça ka hasur jo pak vështirësi në fazën mbrojtëse, falë tredhëmbëshit të frikshëm ka mundur të triumfojë në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Duke bërë një krahasim me klubet e tjera në La Liga, por edhe në kampinatet e tjera europiane nuk gjen asnjë skuadër me statistika të krahasueshme me ato të katalanasve.
Më saktë, vetëm Manchester City, që ndodhet në të njëjtin grup me formacionin e Enriques në Champions, u afrohet shifrave të Barçës. Ekipi i Pep Guardiolës ka shënuar gjithsej 22 gola mes Championsit dhe Premier Leagues. Me të njëjtin numër golash në këtë fillim sezoni po shkëlqen edhe Borussia e Dortmundit, ndërsa Reali i Madridit mbetet pas me 17 finalizime gjithsej, 9 më pak se Barcelona. Nëse do të merren në konsideratë edhe golat e shënuar në Superkupën e Spanjës ndaj Sevillas, Barça shkon në 31 gola në ndeshjet zyrtare të 2016-2017.
Ndërkohë, Atletico e Madridit mori tri pikë të rëndësishme në “Vicente Calderon” përballë Deportivo la Corunas falë finalizimit të Antoine Griezmann, që mbetet pika e referimit të Los Colchoneros në fazën sulmuese. Francezi shfrytëzoi një asist të bashkëkombasit të tij Kevin Gameiro, i cili në fakt ishte në pozicion të dyshimtë në momentin e pasimit të Juan Fran.
Në fakt Deportivo la Coruna luajti gjatë gjithë pjesës së dytë me një lojtar më pak, pas ndëshkimit të Fajr me kartonin e dytë të verdhë, pasi kishte përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë. Me këtë sukses skuadra e Simeones ruan vendin e tretë me 2 pikë më pak se Reali dhe një më pak se Barcelona.