Plagoset me thikë nxënësi te gjimnazi “Çajupi” në Tiranë

Një 16-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me thikë në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12 e 35 minuta të ditës së djeshme në derën e jashtme të shkollës, ku dy të rinj, pasi kanë ngrënë byrekë pranë shkollës kanë filluar të shahen me njëri – tjetrin dhe janë konfliktuar fizikisht deri në momentin, kur njëri prej tyre me një thikë ka goditur bashkëmoshatarin.
Bëhet e ditur se, pas një konflikti mes dy nxënësve, njëri prej tyre Kristi Suti, 16 vjeç ka mbetur i plagosur me thikë në këmbë. Suti ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi thika i ka prekur arterien kryesore në kofshë, ndërsa iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, që ka zgjatur rreth 4 orë. Mësohet se mjekëve u është dashur t’i injektojnë adoleshentit 7 qese me gjak, për shkak të hemoragjisë së madhe që ka patur që nga momenti kur u plagos. Pas katër orësh operacion, mjekët e Traumës i kanë vendosur në venën e çarë një protezë, në mënyrë që të mos rrezikohet sërish çarja.
Mësohet se sherri mes nxënësve ka nisur fillimisht në rrjetin social “Facebook”, me mesazhe me fjalë fyese, për të vazhduar më pas edhe brenda shkollës. Por në mbarim të mësimit, dy nxënësit janë konfrontuar fizikisht para derës së shkollës, e më pas Marsel Sula, ka goditur me thikë bashkëmoshatarin Suti, duke e plagosur rëndë.
Prindërit e nxënësve të gjimnazist “Çajupi”, u shprehën të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve në shkollë. “Kemi frikë t’i dërgojmë fëmijët në shkollë, sepse mungon siguaria. Përditë po ndodhin ngjarje të rënda në shkolla, ndërsa nuk merret asnjë masë për sigurinë e fëmijëve”, u shpreh një nga prindërit që kishte ardhur për të marrë fëmijët në shkollë. Menjëherë pas ngjarjes forcat e policisë kanë ndaluar autorin e plagosjes, Marsel Sula, tek rruga “Kongresi i Manastirit”. 16-vjeçari rezulton të jetë i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar një video pak pas ngjarjes. Pamjet tregojnë adoleshentin e shtrirë në rrugë, ndërsa njerëzit i vijnë në ndihmë.
16-vjeçari Sula ka dëshmuar se si ndodhi konflikti me bashkëmoshatarin Suti, i cili prej 3 orësh po i nënshtrohet një operacioni të vështirë në Spitalin e Traumës. “K.Suti më shau fillimisht me shaka, e kam sharë dhe unë pastaj, ai më goditi me grushte dhe unë i jam kundërpërgjigjur, duke i rënë me një copë xhami të mprehtë. Unë jam vetëmbrojtur, nuk kam dashur të zihem me të”.
Por versioni i tij se e ka goditur me xham bie poshtë, pasi rreth orës 15 e 20 minuta, policia arriti të gjente në zonën pranë Oxhakut, rreth 800 metra larg shkollës, thikën me të cilën 16-vjeçari kreu plagosjen. Për sqarimin e plotë të dinamikës, policia ka shoqëruar 12 persona, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Kjo ngjarje e rëndë, ku përfshihen gjimnazistë, vjen 7 ditë pas vrasjes së adoleshentit 17-vjeçar, Fabio Hila, në qytetit e Pogradecit, pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij për një femër. Si dhe pas plagosjes nga pakujdesia me pistoletën që e mbante pa leje, të një tjetër 17-vjeçari në një lokal pranë shkollës së tij.