Nga ferri në parajsë

Interi nga ferri në parajsë. Nga humbja në Europa League kundër Hapoel Be’er Sheva tek fitorja në derbi ndaj Juventusit. Është vështirë të japësh një përgjigje nëse ky triumf do të pasohet me një seri rezultatesh pozitive, por ndaj bardhezinjve, zikaltërit u shfaqën si një skuadër e vërtetë, të bashkuar e me ide të qarta. Elemente këto që i sollën fitoren e derbit pas 6 vitesh. Trajneri i Interit, Frank de Boer të paktën për momentin, i ka bërë të heshtin të gjithë zërat kundër tij. Një ndeshje gati-gati perfekte. Është ende herët për të deklaruar se deri ku mund të arrijë ky Inter, por prova e parë dhe e vërtetë u kalua me sukes.
Joao Mario, Ever Banega, Antonio Candreva, të gjithë futbollistë të transferuar gjatë merkatos verore, treguan se paratë e shpenzuara nuk kanë shkuar dëm. Nuk duhet harruar dhe ylli i skuadrës zikaltër, Mauro Icardi, i cili zhvilloi një 90 minutësh, që duhet vlerësuar me notën 10. Fitorja është e gjitha meritë e tij. Realizon golin e barazimit dhe dhuron asistin që solli dhe dyfishimin e rezultatit. Krahët e mbrojtjes vuajnë, një sinjal i qartë, se gjatë merkatos dimërore drejtuesit e klubit të Interit duhet të ndërhyjnë për të transferuar një emër ose ndoshta dy, që do të falin siguri. Misioni më i vështirë mbetet për teknikun De Boer. Ai duhet të rikonfirmojë se fitorja e Interit të tij në derbi nuk ishte rastësi, por fryt i një pune të gjatë dhe të lodhshme. Në mesjavë kundër Empolit, zikaltër kanë vetëm një mision, atë të fitores.
Mauro Icardi mbetet makthi i Juventusit. Kapiteni i Interit nuk zhgënjen asnjëherë përballë bardhezinjve, duke regjistruar statistika të frikshme në duelet me “Zonjën e Vjetër”. Goli i shënuar në portën e Buffon, që ktheu përkohësisht në baraspeshë rezultatin në derbin e Italisë, ishte rrjeta e 7 në 8 ndeshje të Serisë A të luajtura kundër Juventusit.
Një paraqitje e jashtëzakonshme ajo e Icardit, që në fushë u shfaq si një bomber, por mbi të gjitha si një lider i vërtetë. Përpara se të shënonte, sulmuesi argjentinas goditi shtyllën, ndërsa në të 78-ën i dhuroi Perisic topin për golin e fitores 2-1. Në këtë start të sezonit, Icardi regjistron 4 gola dhe një asist. Praktikisht, ai ka qenë vendimtar në të gjithë golat e realizuar nga Interi në kampionat.
Thjesht madhështor. Jo vetëm me paraqitjen në fushë, ku tregoi se nëse skuadra e mbështet si duhet, di t’i udhëheqë zikaltërit drejt suksesit. Icardi mbetet protagonist edhe jashtë fushe, ku mes gëzimit për fitoren, gjeti kohën të mbronte edhe trajnerin De Boer, që pas humbjes në Europa League ndaj modestëve të Hapoel Be’er Sheva rrezikonte shkarkimin. Kapiteni doli në krah të drejtuesit të stolit, duke theksuar se De Boer u kritikua më tepër nga sa duhet, pasi në fund janë futbollistët ata që zbresin në fushën e lojës.