Murinjo fillon ankesat: Gjyqtarët e vijërojtësit nuk i kontrolloj dot

Zhoze Murinjo ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj paraqitjes së gjyqtarëve në humbjen që Mançester Junajtid pësoi me shifrat 3-1 përballë Uotfordit. Sipas portugezit, gjyqtari Majkëll Oliver duhej të kishte anuluar golin e parë të Kapue, pasi aksioni kishte filluar me një faull të Britos ndaj Marsial.
“Unë nuk mendoj për debat apo për polemika. Mendoj se kjo është një situatë shumë e qartë… por është diçka, të cilën nuk mund ta kontrolloj dhe as nuk mund të jem kritik ndaj saj”, tha trajneri pas ndeshjes për mikrofonin e “BT”.
“Mendoj se në pjesën e parë, për rreth 25-30 minuta, ne nuk luajtëm mirë dhe kjo është diçka që mund ta kontrollojmë, mund ta përmirësojmë, mund të punojmë për të. Por gabimet e gjyqtarit dhe vijërojtësit nuk janë nën kontrollin tim. Nuk mund të bëj asgjë për t’i përmirësuar”, vijoi Murinjo.
“Në pjesën e dytë ne ishim shumë më mirë, morëm barazimin dhe më pas ishim ne skuadra që po kontrollonte lojën, ndërsa Gomes bëri një pritje fantastike. Fati është diçka tjetër që nuk mund të kontrollojmë. Nuk mund të kontrollojmë gjyqtarin dhe momentet me fat”, ishte shpjegimi për humbjen e sotme, e treta brenda një jave për skuadrën e tij.