Mjaft tentove t’i ngjash Messit

Një këshillë nga Paul Scholes nuk është asnjëherë e tepërt. Ish-mesfushori i Manchester United komenton momentin negativ të Paul Pogba, duke theksuar se ai duhet të luajë thjesht dhe të mos mundohet të imitojë Lionel Messin. Ylli francez po përballet me kritika të ashpra dhe Scholes kërkon që Pogba të punojë sa më shumë për të bërë diferencën në fushën e lojës.
“Unë mendoj se ai e ndërlikon vetë situatën pasi kërkon të bëjë shumë gjëra me topin në këmbë. Përpiqet të triblojë 3 apo 4 lojtarë dhe e mban topin përherë në këmbë. Duhet të luajë më thjeshtë sepse kjo është ajo që bën një lojtar i Manchester United. Ata nuk blenë një Messi për të kaluar 5 lojtarë dhe më pas topi përfundon përherë në korne. Ata kanë blerë një lojtar të fuqishëm në mesfushë”, u shpreh Paul Scholes.
Gjithsesi, Scholes nuk dëshiron ta dekurajojë lojtarin, duke nxjerrë në pah cilësitë e tij. “Ai ka talent dhe shumë cilësi. Mund të imponohet në lojën sulmuese dhe të vrapojë. Nëse luan me një takim me Zlatan dhe krijon zona të lira, askush nuk mund ta pengojë. Ai është një lojtar aq i fuqishëm sa mund të bëhet i papërballueshëm për këdo”, tha ai. Në fund, Scholes shton se Manchester United duhet të afrojë edhe një lojtar mes Modriç e Kroos për ta disiplinuar sa më shumë francezin.
Ndërkohë nga ana tjetër, Romelu Lukaku është futbollist i denjë për një skuadër të madhe. Te Chelsea nuk arriti të ishte në lartësinë e konkurrencës, ndërsa te Everton mbetet protagonist. Megjithatë edhe paraqitjet nën pritshmëritë në Kampionatin Europian nuk e zbehin faktin që belgu është një sulmues i jashtëzakonshëm.
Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy statistikave të tij. I lindur në Anversë më 13 maj 1993. Vetëm 23-vjeçar, aq sa Icardi, Dybala, Kane apo Paul Pogba. Me tre golat e shënuar të hënën në portën e Sunderland, Romelu Lukaku arriti kuotën e 122 rrjetave në karrierë. Në të njëjtën moshë, nga lojtarët ende në aktivitet vetëm Neymar me 183 gola dhe Messi me 150 kanë realizuar më tepër.
122 golave në 282 ndeshje, të ndara mes Anderlecht-it, West Bromwich, Chelsea dhe Everton. Sulmuesi ka realizuar 19 gola edhe në 51 ndeshje me përfaqësuesen e Belgjikës. Vetëm 23-vjeçar, Lukaku ka shënuar më tepër gola se yje të nivelit botëror, si Cristiano Ronaldo në kuotën 110 dhe Ibrahimoviç 65, që në të njëjtën moshë nuk kishin ende instinktin vrasës përpara portës. Në klasifikimin special të yjeve që kanë shënuar më tepër në këtë moshë janë edhe Luis Suarez me 107 gola dhe Wayne Rooney në kuotën 100.