Ballina Aktualitet Viti i ri shkollor, kaos dhe mungesë librash

Viti i ri shkollor, kaos dhe mungesë librash

Nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës, pa të gjithë librat që ju duhen për procesin mësimor. Edhe pse prej dy javësh, prindër dhe fëmijë qëndruan në radhë çdo ditë për të blerë tekstet shkollore, dita e parë do t’i gjejë me mungesa. Edhe gjatë ditës së djeshme, një ditë para nisjes së shkollës, prindërit e nxënësve në shkollën “Gjon Buzuku” dhe “Hasan Prishtina”, kanë qëndruar sërish në radhë për të disatën herë, por pa rezultat.
Mungesa të librave shkollorë për lëndë të ndryshme ka thuajse në të gjitha shkollat e kryeqytetit dhe atyre në rrethe. Në treg mungojnë botimet si abetarja, anglishtja, frëngjishtja dhe matematika. Sot nis viti i ri shkollor, por nxënësit ende nuk kanë kompletuar çantën e tyre me të gjitha tekstet. Jo të gjithë nxënësit e klasave të para kanë arritur të sigurojnë abetaren. Po ashtu për ciklin 9-vjeçar ka patur mungesë të teksteve matematikë dhe anglisht.
Burimet zyrtare nga Minisatria e Arsimit thanë se, mungesa e librave erdhi si pasojë e mospajisjes së shtëpive botuese me pullën hologramë, si elementë i sigurisë i Ministrisë së Arsimit për botimet. Shtëpitë botuese thanë se ky proces është vonuar, por ministria mohoi, duke thënë se procesi i tenderimit përfundoi në kohë dhe tekstet janë për të gjithë nxënësit.
Në Fier, prindërit ankohen se mungojnë gjysmat e librave për shkollën 9-vjeçare sidomos për klasat e teta. Po ashtu edhe në Qarkun e Elbasanit ka mungesa të teksteve shkollore.
Edhe në Qarkun e Shkodrës një pjesë e madhe e nxënësve do të ulen në banka pa libra. Dy libraritë e liçensuara për shitjen e teksteve shkollore kanë vendosur t’i bashkohen ditës zyrtare të pushimit për Kurban Bajram. Edhe pse prindërit i janë drejtuar dyerve të tyre për blerjen e teksteve, ato kanë qenë të kyçura. Prej ditësh radhët janë refreni i vetëm në këto pika të autorizuara, pasi edhe banorët nga Vau Dejësi e rrethinat duhet të udhëtojnë drejt Shkodrës për blerjen e tyre, e duke mos arritur të kryejnë punë.
Fillimi i këtij viti shkollor po shoqërohet me vonesa në shpërndarjen e librave, si në qytet ashtu dhe në fshatra. Ky shqetësim ka mbërritur deri në Ministrinë e Arsimit, e cila ka nisur verifikimin e procedurave mes shtëpive botuese dhe librarive që kanë tërhequr kontingjentin e teksteve shkollore. Sipas disa informacioneve që kanë të bëjnë me ketë sektor, vonesat kanë ardhur për faktin se librashitësit nuk mund t’i shesin librat pa kuponin tatimor. Por këtë ata nuk mund ta përballojnë, pasi nëse do të hapnin disa pika shitje provizore, në secilën prej tyre duhet më parë një kasë fiskale, koston e të cilave nuk e marrin përsipër.
Ndërkohë, në Lezhë, shkolla ku arsimohen rreth 250 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian nga familje në kushte ekstreme ekonomike, ka mungesë të theksuar të ardhurash. Mësuesi italian që inicioi çeljen e shkollës, thotë se i ka apeluar, vendorëve dhe Policisë së Shtetit të jenë prezente, por deri më tani kjo kërkesë është mohuar.
Për të arsimuar 250 fëmijë romë dhe egjiptian si edhe ata të familjeve në nevojë në Lezhë, mësuesi italian Luciano Levri dhe “Shkolla Shenjta Mari” e ngritur prej tij në këtë qytet duhet t’ia dalë e vetme. Ai thotë se për të ndihmuar nxënësit që vijnë nga familje në nevojë dhe në gjendje rruge, ka nevojë për ndihmën e çdo institucioni, ndërkohë që prej një viti Drejtoria e Arsimit u ka hequr mësuesen.

Exit mobile version