Nuk ndalen kriminelët shqiptarë në Holandë, 60 të arrestuar në Amsterdam

Në 8 muajt e parë të 2016-ës në Amsterdam të Holandës janë arrestuar 60 shqiptarë, ndërsa janë sekuestruar armatime, miliona euro dhe drogë. Ky është bilanci i policisë së Amsterdamit. Qindra kilograme kokainë, miliona euro, armatime të sekuestruara dhe 60 shqiptarë të arrestuar. ABC News mësoi se bilanci i policisë së Amsterdamit në 8 muajt e parë të vitit 2016 ka qenë befasues për vetë drejtuesit e policisë në Holandë, si dëshmi për fluksin e kriminalitetit që eksporton Shqipëria drejt Perëndimit. Një burim pranë policisë së Amsterdamit tha që në dhjetëra apartamente luksoze të banuara nga shqiptarë janë konfiskuar të paktën 3 milionë euro dhe më shumë sesa 200 kilogram kokainë.
Një nga ngjarjet më të bujshme ku janë përfshirë shqiptarët është ajo e dhjetorit të vitit të kaluar. Dy emigrantë u qëlluan në kokë me pistoletë, kur po dilnin nga një restorant në Amsterdam. Autorët e krimit nuk u kapën kurrë, por policia e klasifikoi ngjarjen si hakmarrje mes bandave që kontrollojnë trafikun e drogës. Grupet kriminale shqiptare duket se janë fuqizuar së tepërmi vitet e fundit, për shkak të fitimeve kolosale që sigurojnë përmes shitjes së drogave të forta, si kokaina. 13 shqiptarë u arrestuan nga policia vetëm në një aksion në fund të muajit gusht. Në shtëpitë e tyre, u gjet drogë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Burime zyrtare të policisë së Amsterdamit thanë se rritja e aktivitetit kriminal të shqiptarëve po hetohet nga dy grupe të policisë së Amsterdamit, një i policisë hetimore dhe një grup i specializuar në krimet ekonomike. Të dyja janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Bashkinë e Amsterdamit.