Në 8 muaj, 126 kompani shpallën falimentin

126 kompani në të gjithë vendin kanë shpallur falimentin. Kjo shifër vjen nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e cila ka dorëzuar në gjykatë listën e bizneseve që duan të mbyllin aktivitetin. Vihet re një rritje e numrit të kompanive që kërkojnë falimentit . Gjatë vitit 2015 në gjykatë janë çuar 118 kompani kundrejt 126 gjatë këtij viti (8 muaj e parë).
Vlora është qyteti me numrin më të madh të bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin, konkretisht 36 kompani, ndërsa Durrësi renditet në vendin e dytë me 27 shoqëri. Në kryeqytet ndërkohë numërohen vetëm 6 subjekte të cilat kanë shpallur falimentin. Procedurat e komplikuara të falimentit kanë detyruar qeverinë që të hartojë një projektligj të ri i cili aktualisht është në diskutim në komisionet parlamentare.
Drafti i ri, parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda gjykatës së rrethit, e cila do të merret me të gjitha procedurat e falimentit. Ligji përcakton afate të qarta për dorëzimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentit, ankimimit nga debitori dhe nisjes së seancave gjyqësore, të gjitha brenda një afati prej 1 muaj e gjysmë.

FMN: Niveli i kredive me probleme ende i lartë

Fondi Monetar Ndërkombëtar tërheq sërish vëmendjen për problemin e nivelit të lartë të kredive me probleme në Shqipëri. Në raportin e fundit, pas disbursimit të këstit të kredisë prej 35.9 mln euro, FMN thotë se kreditë me probleme edhe pse janë ulur krahasuar me 2014-tën, sërish niveli prej 19.5% që u regjstrua në maj 2016 mbetet i lartë. Rritja e kredisë sipas Fondit Monetar mbetet e ngadalë dhe për këtë shkak janë niveli i lartë i kredive me probleme në bilancet e bankave. Kredia në sektorin privat thotë raporti, ka rënë që nga viti 2015. Si kyç për gjallërimin e kreditimit FMN sheh zgjidhjen e kredive me probleme. Sipas saj nga viti 2018 pritet të ndryshojë edhe rregullorja për të dhënë kredi nga bankat në bazë të deklaratave fiskale të kompanive.
Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, kreditë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një rritje të fortë në muajin korrik, duke arritur në 21.15% nga 19.96% që ishin në qershor. Pjesën më të madhe të portofolit të kredive me probleme e zotërojnë kompani të mëdha kreditore, numri i të cilave aktualisht ka shkuar në 36.