Murinjo: Rashford do të jetë titullar

Jose Mourinho është i bindur. Marcus Rashford do të ketë një të ardhme të ndritur. Trajneri portugez duket se mbeti i kënaqur me paraqitjen e 18-vjeçarit në pjesën e dytë të derbit me Cityn, e tashmë po mendon që ta përfshijë atë në formacionin bazë për sfidën ndaj Feyenoordit, në Europa League. “Për mua, ndeshja e madhe e radhës është ajo me Feyenoordin dhe Rashford do të luajë. Kjo është e vetmja gjë që mund të them. Kam plotësisht besim tek ai, e pret një e ardhme e ndritur. Sigurisht ka ende vend për përmirësime, por personaliteti nuk i mungon”, ka thënë Mourinho.
Marcus Rashford ka shënuar 8 gola në 18 ndeshje, në të gjitha kompeticionet ku është aktivizuar deri tani me Manchester United, gjë që flet qartë për talentin e tij. “Në ndeshjen derbi e kuptova që City kishte probleme në krahë dhe Rashford mund ta shfrytëzonte këtë pikë të dobët të kundërshtarëve në pjesën e dytë. Ai e bëri detyrën e tij dhe tani do të ishim duke folur për një tjetër rezultat”, vijoi Mourinho.
Mançester Junajtid nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve dhe edicioni i kaluar u cilësua zhgënjyes për “djajtë e kuq”, duke sjellë ndryshime të mëdha si në pankinë, ashtu edhe në përbërje. Por përsëri ky klub ka arritur të mbyllë bilancin financiar të sezonit 2015-2016 me fitime të çmendura.
Klubi ka publikuar sot raportin financiar, sipas të cilit rezulton se është arkëtuar shifra 515,3 milion paund, një rekord në Angli, ndërsa është klubi i dytë në Europë për të ardhurat në këtë vit, pas Barcelonës. Sipas parashikimeve, përfitimet do të arrijnë 530 ose 540 milionë paund në fund të sezonit të ardhshëm, edhe pse skuadra nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve.
Përfitimet operative për këtë vit financiar ishin 68,6 milionë paund, në rritje në krahasim me 31,6 milionë paund të vitit të mëparshëm. Këto përfitime kanë ardhur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga reklamat.
Ndërkaq, bie në sy në këtë raport se shkarkimi i Van Gal dhe stafit të tij në fund të edicionit të kaluar u ka kushtuar “djajve të kuq” 8,4 milionë paund. Ndërkaq, në bilancin financiar nuk gjendet emri i Bastian Shvajnshtajger dhe rrogës së tij prej 6,7 milionë paund, pasi ai nuk cilësohet më as zyrtarisht pjesë e ekipit të parë.