Interi fiton në limit

Pas dygolëshit ndaj Pescarës që i dha Interit fitoren e parë në këtë sezon, Mauro Icardi ka konfirmuar rinovimin e kontratës me skuadrën zikaltër. Emri i kapitenit ishte një nga më të përfolurit në merkaton e verës, me Napolin që ishte gati të bënte një çmenduri financiare për ta transferuar në “San Paolo”, por Interi vendosi ta mbajë në skuadër 23-vjeçarin argjentinas duke i propozuar Icardit zgjatjen e marrëveshjes aktuale me një pagë dukshëm më të lartë. “Kam folur me shoqërinë, kemi sistemuar gjithçka përsa i përket rinovimit të kontratës dhe jam i qetë për këtë pjesë”, deklaroi Icardi në përfundim të sfidës ndaj Pescarës.
Më pas kapiteni i Interit foli edhe për paraqitjen e skuadrës në sfidën e fundit. “Merita për këtë fitore është e të gjithë skuadrës, që luftoi deri në çastet e fundit për të marrë tre pikët. Krijuam shumë raste, por topi nuk donte të hynte në portë, jam i kënaqur që në fund erdhën dy golat e mi dhe dolëm me pikë të plota nga kjo transfertë, shtoi më pas Mauro Icardi. Më pas sulmuesi dha një mendim edhe për trajnerin Frank de Boer: “Ne duam të luajmë sa më lart të jetë e mundur, po përpiqemi të zbatojmë në fushë detyrat që na jep trajneri, i cili për mendimin tim po bën një punë shumë të mirë”. Për ndeshjen e ardhshme ndaj Juventusit, Icardi shtoi: “Bardhezinjtë janë skuadra për t’u mundur, ata kanë fituar gjithçka në vitet e fundit dhe mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.
Interi del nga një tunel i errët me një fitore të vuajtur në transfertën e Pescaras. Në derbin e Italisë javën e ardhshme, skuadra zikaltër do të prezantohet me një fitore morali pas një 90 minutëshi të luftuar kundër një skuadre të kalueshme në letër edhe pse në fund arriti të triumfonte 2-1. Pescara luajti një ndeshje të kujdesshme në “Adriatico”, ku kapiteni Ledian Memushaj zhvilloi një 90 minutësh prej lideri. Vlonjati e dha sinjalin e parë që në minutën e 18 me një top për Benalin që nuk arriti të godiste, ndërsa në të 33-ën, Cristante shpërdoroi mundësinë e artë për të shënuar golin e parë. Vetëm 120 sekonda më vonë Interi u prezantua me Benegan dhe Candrevan që u ndalën nga Bizarri. Sërish Inter 4 minuta nga fundi me Candrevan që shërbeu Benegan, por Campagnaro nuk lejoi që topi t’i drejtohej portës, ndërsa në krahun tjetër Pescara replikoi me transversën e Verre. Interi e nisi pjesën e dytë me ritmin në maksimum dhe në të 49-ën Icardi rrezikoi sërish, ndërsa 2 minuta më vonë Memushaj me një të djathtë të fortë nga jashtë zonës tronditi dorezat e Handaniviç që devijoi jashtë. Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 63 me autor të sapofuturin në lojë, Bahebeck i cili i shpëtoi mbulimit të D’Ambrosios.
Sërish i njëjti lojtar kishte mundësinë për të thelluar avantazhin, por Icardi vendosi baraspeshën në të 77-ën. Francezi Bahebeck rrezikoi sërish portën zikaltër, por ishte sërish Handanoviç që i mohoi kënaqësinë e golit të fitores, por në krahun tjetër, Icardi në minutën e fundit pllakosi heshtjen në “Adriatico”. Një  fitore në limit për Interin që shijon suksesin e parë këtë sezon të Serie A, ndërsa Pescara mbetet në kuotën e 4 pikëve.