Festa e Kurban Bajramit i gjen shqiptarët të varfëruar: Nuk kemi me çfarë të festojmë

Më të varfër se një vit më parë, të papunë e me borxhe e ka gjetur festa e Kurban Bajramit këtë vit shumicën e shqiptarëve. Këtë vit qytetarët e besimtarët kanë rezervuar një dorë të shtrënguar në shpenzime për përgatitjen e drekës tradicionale. Ata shprehën se kanë bërë të njëjtat shpenzime si çdo ditë për blerjen e ushqimeve për shkak të pamundësive ekonomike. Në shportën e drekës së Kurban Bajramit peshën kryesore e kanë mbajtur fruta-perimet dhe ëmbëlsirat, ku qytetarët deklarojnë se janë përpjekur të bëjnë blerje minimale krahasuar me vitet e kaluara edhe pse mundësitë ekonomike edhe vitet e fundit i kanë pasur të pakëta për shkak të krizës ekonomike.
Besimtarët myslimanë kanë festuar Kurban Bajramin me pak shpenzime. Qytetarët shprehen se për këtë festë kanë bërë blerjet e një dite të zakonshme si pasojë e gjendjes ekonomike. Ndërkohë që i vetmi ndryshim ka qenë shijimi i një dite më shumë pushim.
Pensionistët janë ata që ankohen më tepër për kostot e jetës së përditshme. Asortimentet që nuk kanë munguar për drekën e Kurban Bajramit sipas qytetarëve janë mishi kryesisht pulë, fruta dhe një ëmbëlsirë.
Frutat dhe perimet kanë qenë edhe produktet më të shitura për Kurban Bajram. Tregtarët shprehen se çmimet nuk kanë ndryshuar ndërkohë që pritet që rritje të pësojnë pas disa javëve për shkak të përfundimit të prodhimit vendas.
Simbolika e festës së Kurban Bajramit është kryerja e një kurbani, kryesisht qengj, i cili duhet të ndahet edhe me më të varfërit, por shumë besimtarë nuk kanë mundur që ta zbatojnë këtë rregull për shkak të kostos.
Reshjet e shiut nuk kanë penguar dje mijëra besimtarë myslimanë që të dalin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e festës së sakrificës, Kurban Bajramit, dita më e shënuar në kalendarin islam.
Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, kushti i pestë i islamit dhe dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie. Për nder të kësaj feste, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët.
Në lutjen e djeshme u theksua që ky Bajram duhet të jetë një thirrje e plotë dhe e fuqishme për t’i thënë jo indiferencës sociale. Për myslimanët u bë e qartë dje gjatë lutjes se kanë obligim të jenë në krahun e atyre që vuajnë, që janë të sëmurë për t’i lehtësuar sadopak. Sipas tyre, drejtësia është motra e devotshmërisë.
“Nuk është një dash nga hanxhinjtë që theren në Mekë sot, sakrifica më e madhe është tehu i shpatës së drejtësisë që duhet të presë çdo fije të mosdrejtësisë. Individin, një komb e mban vetëm ecja drejt drejtësisë”. Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj uroi dje të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit. “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Të nderuar besimtarë. Në një ditë të tillë feste, në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira: qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë. “Falë Zotit kemi një ditë feste, përkushtimi dhe vetëmohimi. Përkujdesja është sot në çdo familje. I lutem Zotit të sjellë paqe begati për të gjithë!”. Urimeve për festën e Kurban Bajramit nga sheshi i faljes së namazit iu bashkua edhe Baba Edmond Brahimaj, i cili u lut për më shumë dashuri mes njerëzve dhe në familje. “Urojmë që besimtarët të kenë dashur për njëri-tjetrin në familje. Zoti i dhëntë paqe kujtdo”.

Liderët politikë mesazhe urimi besimtarëve myslimanë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uroi dje festën e Kurban Bajramit besimtarëve myslimanë duke vizituar Selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj. Në prani të përfaqësuesve të mediave, kreu i shtetit u shpreh: “Urimi në këtë ditë është shumë i thjeshtë, sepse është një urim që vjen nga zemra, vjen nga shpirti dhe është për të gjithë njerëzit, kështu që ne e kemi përshëndetjen dhe urimin me një fjalë shumë domethënëse siç është fjala: Gëzuar, për shumë vjet! Dita e Kurban Bajramit përfaqëson dy dimensione: atë të sakrificës dhe të ndarjes së të mirës me të tjerët. Të dyja këto vlera që dita e Kurban Bajramit i përfaqëson dhe i promovon koinçidojnë si vlera shekullore edhe të shqiptarëve. Ne si popull dhe si komb kemi qenë një popull dhe një komb që në lidhje me sakrificën kemi bërë shumë sakrifica në të shkuarën. Por nga tjetër, pavarësisht vështirësive dhe situatave që kemi kaluar, gjithmonë kemi qenë të gatshëm që atë të mirë, aq sa e kemi pasur, kemi qenë të gatshëm ta ndajmë me të tjerët dhe e kemi ndarë me të tjerët, të cilët kanë qenë në nevojë dhe në kërkim të ndihmës. Kështu që këto janë parime gjithshqiptare dhe sot gjej rastin të vlerësoj lart këto parime të mëdha që feja islame i përçon në mbarë njerëzimin dhe në mënyrë të veçantë dua t’u shpreh mirënjohjen time si qytetar, por edhe si President i Republikës, Komunitetit Mysliman Shqiptar, klerikëve myslimanë shqiptarë për punën e shkëlqyer që bëjnë çdo ditë për të përhapur këto vlera të mirësisë, të vëllazërimit, të respektit dhe të gatishmërisë që edhe përmes sakrificës të ndihmojmë atë që është më i pamundur, më i varfër, më pak i ndihmuar ndoshta nga fati në momente të caktuara. Kështu që edhe një herë gëzuar këtë ditë të bekuar, këtë ditë të veçantë! Mbarësi gjithë Komunitetit  Mysliman, të gjithë shqiptarëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shprehet Nishani. Edhe kreu i PD, Basha përcolli një mesazh urimi për besimtarët myslymanë. “Të dashur miq, vëllezër dhe motra, besimtarë myslimanë, Gëzuar Kurban Bajramin! Sot besimtarët kremtojnë dashurinë e Zotit ndaj çdokujt që sprovohet përmes sakrificës.  Zoti i ndihmoftë shqiptarët kudo ku ndodhen!”, shprehet Basha në mesazhin e tij të urimit. Edhe ish kryeministri Berisha në një mesazh urimi shprehet: “Gëzuar Kurban Bajramin! Ditën kur vlerësojmë sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë ndaj Krijuesit, por dhe ditën e shpresës në mëshirën dhe faljen e Atij për njeriun. Me urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja, për paqe, shëndet e mbarësi! Gëzuar”.

Historia e Kurban Bajramit

Sipas traditës islamike, rreth katër mijë vjet më parë lugina e Makës (ajo që sot përbën Arabinë Saudite) ishte një vend i thatë, shkëmbor dhe i pabanueshëm. Zoti e kishte këshilluar Abrahamin (ose Ibrahimin në arabisht) të merrte gruan Haxhir (Hagar) dhe djalin e vetëm Ishmael (Ismail) që nga toka e Kanaanit dhe t’i sillte në Arabi. Kur pa se Ibrahimi po bëhej gati për t’u kthyer në Kanaan, Hagar e pyeti: “Po ne, po na le këtu që të vdesim? Zoti të ka dhënë porosi të na lësh këtu?” Ibrahimi iu kthye gruas përballë. Ndihej aq i mjerë sa s’fliste dot një fjalë. Bëri me dorë nga qielli, si për të thënë që këtë ia kishte kërkuar Zoti. Hagar i tha: “Mirë, atëherë, mund të shkosh. Zoti s’ka për të na shkuar dëm”. Megjithë sasinë e madhe të ushqimeve dhe ujit që iu kishte lënë Ibrahimi, shumë shpejt Haxhireja dhe Ismaili mbetën pa gjë dhe filluan të ndjejnë shenjat e etjes dhe urisë.
E dëshpëruar për ujë, Hagar iu ngjit dhe zbriti shtatë herë dy kodrinat e quajtura Al-Safa dhe Al Marwah. Më në fund, ajo u plas e rraskapitur në krah të foshnjes Ismail duke iu lutur Zotit për shpëtim. Për çudi, nga toka përpara këmbëve të foshnjes Ismail filloi të burojë një krua uji. Sipas disa rrëfimeve të tjera, uji nuk doli vetë, por e nxori engjëlli Gabriel (Xhibrail) që e goditi tokën fort dhe bëri të dalë ujë me shumicë. Gjithë ai ujë, që njihet si Pusi Zamzam, jo vetëm që ua shuajti etjen, por edhe iu mjaftoi për ta shkëmbyer atë me ushqim me endacakët që kalonin aty pari. Disa vjet më vonë Ibrahimi mori udhëzime nga Zoti që të kthehej nga Kanaani dhe të ndërtonte një faltore pranë pusit të Hagar (Pusit Zamzam). Ibrahimi dhe Ismaili ngritën një ndërtesë prej gurësh dhe llaçi – e njohur si Kaaba – që do të bëhej vendi ku mblidheshin të gjithë ata që kërkonin të forconin besimin te Zoti. Me kalimin e viteve, Ismaili mori statusin e profetit (Nubuwwah) dhe ishte ai që do t’i jepte bredharakëve të shkretëtirës mesazhin e nënshtrimit ndaj Zotit. Shumë shekuj më vonë, në sajë të burimit të saj të pashtershëm të ujit, Pusit të Zamzamit, Meka do të kthehej në një qytet shkretëtire të lulëzuar dhe një qendër e rëndësishme tregtare.
Një nga provat më të forta në jetën e Ibrahimit ishte kur atij iu desh të zbatonte urdhrin e Zotit për t’ia përkushtuar atij pronën e tij më të shtrenjtë, djalin e vetëm. Me ta dëgjuar urdhrin ai u bë gati t’i nënshtrohej vullnetit të Zotit. Në kohën kur po bëhej gati, Satani (Shejtani) u përpoq ta fuste në ngasje Ibrahimin dhe familjen e tij, duke kërkuar t’i bindte që të mos e zbatonin urdhrin e Zotit. Por Ibrahimi e dëboi Shejtanin duke i gjuajtur me plisa. Në kujtim të mohimit të Shejtanit, një nga ritet e Haxhit është që njerëzit iu gjuajnë me plisa disa shtyllave që simbolizojnë Shejtanin. Kur Ismaili ishte rreth 13 vjeç (dhe Ibrahimi 99), Zoti vendosi që t’ua vinte publikisht në provë besimin. Ibrahimi filloi të shihte herë pas here të njëjtën ëndërr, në të cilën Zoti e urdhëronte që ky t’ia ofronte djalin e vet si sakrificë – një veprim i papërfytyrueshëm – pra të sakrifikonte djalin e vet të vetëm, që Zoti ia kishte dhënë pas gjithë atyre viteve lutjeje. Abrahami e dinte që ëndrrat e profetëve kanë frymëzim hyjnor dhe se ato përbënin një nga mjetet me të cilat Zoti komunikonte me profetët. Kur e kuptoi qartë se çfarë domethënie kishin ëndrrat, Ibrahimi vendosi ta vinte në jetë urdhrin e Zotit dhe ta ofronte Ismailin për sakrificë.
Megjithëse ishte gati të sakrifikonte gjënë më të shtrenjtë për hir të Zotit, ai s’mund të shkonte dhe ta tërhiqte të birin zvarrë deri te vendi i sakrificës pa miratimin e tij. Duhej biseduar edhe me vetë Ismailin nëse ky do të ishte i gatshëm që të hiqte dorë nga jeta për t’i plotësuar urdhrin e Zotit. Kjo bisedë do të ishte një provë e madhe e pjekurisë së besimit, dashurisë dhe përkushtimit të Ismailit për Zotin, e gatishmërisë për t’i shërbyer të atit dhe për të sakrifikuar jetën e vet për hir të Zotit. Ibrahimi ia paraqiti çështjen të birit dhe e pyeti se ç’mendonte ai për ëndrrat që ky kishte parë për therjen e tij. Ismaili nuk tregoi asnjë shenjë ngurrimi apo prapamendimi, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ai tha: “Baba, bëj atë që të kanë urdhëruar të bësh. Mua do të më kesh gjithmonë të qetë dhe të duruar, Inshallah”.
Përgjigjja e tij e pjekur, kuptimi i tij i thellë i brendisë së ëndrrave të të atit, përkushtimi ndaj Zotit, dhe së fundi gatishmëria e tij për të sakrifikuar jetën e tij për hir të Zotit ishin të papara. Ibrahimi nuk duronte dot ta shihte të birin duke vdekur, prandaj edhe mbuloi sytë. Kur ia preu fytin Ismailit dhe hoqi shaminë me të cilën kishte zënë sytë, ai u habit që pa Ismailin aty pranë të paprekur dhe në vend të tij, ishte shtrirë i ngordhur një dash të cilin ai vetë sapo e kishte therur. Me gatishmërinë për të vënë në jetë urdhrin e Zotit Ismaili e kishte kaluar provën. Si shpërblim për sakrificën, Zoti i dha Ibrahimit lajmin e gëzuar të lindjes së djalit të tij të dytë, Isakut.  Ibrahimi kishte vërtetuar se dashuria për Zotin i tejkalon të gjitha: se ai ishte i gatshëm të jepte edhe jetën e vet, edhe jetën e njerëzve të tij më të dashur si shenjë nënshtrimi ndaj urdhrit të Zotit. Myslimanët e përkujtojnë çdo vit këtë vepër sakrifice përmes Kurban Bajramit.

A.Shahini