Rey Manaj: Duam fitoren ndaj Interit

Rey Manaj paralajmëron Interin. Sulmuesi shqiptar këtë të dielë me Pescarën do të sfidojë skuadrën që ka në pronësi kartonin e tij me objektivin për t’i shënuar një gol zikaltërve. Edhe pse ai ka deklaruar se nuk do të festojë nëse realizon ndaj Interit, Manaj do të bëjë gjithçka për ta çuar topin në rrjetë nëse i jepet mundësia për të luajtur në këtë sfidë nga trajneri i Pescarës Massimo Oddo. Në javën e 2-të ndaj Sassuolos 19-vjeçari realizoi golin e tij të parë në Serinë A dhe të parin me Pescarën në një ndeshje zyrtare, por Manaj nuk dëshiron të ndalet me kaq. Në një intervistë djaloshi i lindur në Lushnjë u ndal të fliste për sfidën e të dielës që do të zhvillohet në stadiumin “Adriatico” mes Pescarës dhe Interit. Manaj më shumë sesa një gol personal dëshiron që skuadra e tij të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë.
“Në rast se do t’i shënoj gol Interit do të isha i lumtur për vete, por edhe për ekipin, megjithatë gjëja më e rëndësishme është që të dalim nga kjo ndeshje me një fitore ose të paktën me një barazim”, deklaroi sulmuesi i kombëtares shqiptare.
“Për rritjen time si futbollist nuk duhet të flas unë, por kush është përreth meje dhe tifozët që më ndjekin çdo fundjavë”, tha ai. Rey Manaj u huazua nga Interi te Pescara gjatë kësaj vere për të fituar sa më shumë eksperiencë dhe për të luajtur sa më tepër, në mënyrë që një ditë të rikthehet te klubi zikaltër më i fortë se kurrë në një të ardhme të afërt, pasi drejtuesit e Interit besojnë shumë te aftësitë që zotëron 19-vjeçari shqiptar.