Ballina Aktualitet Mafia, vritet ish-kreu i OST dhe drejtuesi i PS

Mafia, vritet ish-kreu i OST dhe drejtuesi i PS

Dy persona të maskuar dhe të armatosur vranë ish-punonjësin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit në qytetin e Rrëshenit, Saimir Jaku. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në një lokal në qytetin e Rrëshenit, ku si pasojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër që ndodhej me të në tavolinë. Ngjarja ka ndodhur në një lokal nga më të frekuentuarit në qytetin e Rrëshenit rreth orës 9:35. Viktima Saimir Jaku ishte anëtar i Partisë Socialiste dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Lezhë.
Sipas dëshmitarëve, dy persona të maskuar kanë zbritur nga një makinë tip “Benz” para lokalit, ku Jaku ndodhej në një tavolinë bashkë me një person tjetër dhe kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij. Pasi janë siguruar se shënjestra është vrarë, autorët janë larguar me shpejtësi dhe kanë hipur në një makinë të zezë që i priste disa metra larg lokalit.
Vrasja u krye në një lokal vetëm 20 hapa larg Komisariatit të Policisë, por askush nuk bëri asgjë. Burime thonë se, Jaku ka pasur konflikte dhe debate më herët. Mësohet se nga të shtënat është plagosur edhe shtetasi Gjergj Prenga, 50 vjeç, që ndodhej në tavolinë me Jakun. I plagosuri është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se janë ngritur patrulla të shumta në rrugët kryesore. Autorët, sipas burimeve janë larguar drejt Laçit. Në Rrëshen kanë shkuar forca të shumta të policisë.
Në një njoftim për shtyp, policia bëri të ditur se, në orën 09:40 është njoftuar se në Rreshen-Mirditë, në një lokal, ka ndodhur një vrasje. “Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore që kanë konstatuar se është vrarë me armë zjarri shtetasi Saimir Jaku, 33 vjeç, si dhe plagosur shtetasi Gj.P. 50 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e shpejta hetimore është bërë e mundur identifikimi i mjetit që dyshohet se kanë lëvizur autorët, tip “Benz”, i cili është lokalizuar duke u larguar në drejtim të fshatit Gallatë në Kurbin dhe po ndiqet nga policia. Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me FNSH-në, po bëhet krehja e zonës në një perimetër të gjerë në zona ku dyshohet se mund të kapen autorët. Janë ngritur gjithashtu pika kontrolli”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kush ishte Saimir Jaku

Viktima Saimir Jaku ishte anëtar i Partisë Socialiste dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Lezhë. Jaku ka punuar drejtor i Tensionit të Lartë për Veriun dhe nga 1 shtatori 2016, ka kaluar në pozicionin e ri, Shef Sektori i Asistencës Teknike Skada Plus GIS në Drejtorinë qendore të Tensionit të Lartë në Tiranë.
Në nëntor të vitit 2015 Jaku kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste për Rrëshenin, në një garë me Nikolin Kaçorrin dhe Bardhok Pulajn. Disa muaj më vonë, më 28 maj 2016, emri i tij zë sërish vend në media. I sapoemëruar në detyrën e lartë në OSHEE, ish-kryeministri Sali Berisha e akuzon për pjesëmarrje në grupet e trafikut të drogës në Itali dhe i dënuar për këtë krim.
Një qytetar i shkruante Berishës së Jaku ishte pa arsimin përkatës, “me 8 klasë shkollë” dhe ishte emëruar në detyrë vetëm për arsyen e vetme se ishte mik i kryetarit të Bashkisë së Rrëshenit, Ndrec Dedës, ish-drejtor i Policisë së Bashkisë së Tiranës, në kohën e Edi Ramës.
Jaku u shkarkua nga ky pozicion i lartë një javë më parë për arsye që s’janë bërë publike nga ata që e firmosën shkarkimin.
Paraditen e djeshme, ai u qëllua për vdekje me breshëri automatike teksa po konsumonte kafenë në një nga lokalet në qendër të Rrëshenit. Dy persona të armatosur hynë në lokal dhe zbrazën breshëri mbi të, duke e lënë të vdekur në vend. Një person tjetër, që ishte në tavolinë me të, mbeti i plagosur.
Asnjë prej atentatorëve nuk është kapur. Policia po heton mbi shkaqet. Vrasja për shkak të konflikteve gjatë ushtrimit të detyrës, të konflikteve personale të kohëve të fundit apo të përplasjeve të vjetra, janë pistat kryesore që po ndiqen.

Dëshmitarja rrëfen skenën e krimit: Breshëri plumbash në kokë Jakut!

Vrasja e Saimir Jakut ndodhi në një nga lokalet më të njohura dhe më të mëdha të qytetit të Rrëshenit. Një nga dëshmitaret e kësaj vrasjeje makabër, e cila e njeh personalisht të ndjerin Saimir Jaku, në një intervistë me Jeta osh qef, tregon rreth minutave të para pas vrasjes së Saimirit dhe si arritën të depërtonin dhe të iknin dy personat me maska, ndërkohë që lokali ishte i tejmbushur me njerëz, ku ndër ta edhe zyrtarë policie.

-Ju jeni banore në qytetin e Rrëshenit, a ishit e pranishme në vendngjarje në momentin që u vra Saimir Jaku?
Po, unë banoj në Rrëshen dhe kam punën ngjitur me lokalin. Sapo dëgjova krismat dola menjëherë nga dyqani dhe aty u mblodhën shumë njerëz. Jemi vërtetë të shokuar nga ajo që ndodhi sot në Rrëshen. Një vrasje në qendër të qytetit, në lokalin më të frekuentuar. Lokali ishte i tejmbushur, aty kishte edhe zyrtarë dhe oficerë policie. Lokali ishte vetëm 20 hapa larg Komisariatit të Policisë dhe askush nuk bëri asgjë. Të maskuarit mbaruan punën që kishin nisur dhe u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

-Më pas çfarë ndodhi?
Erdhi policia, 30 minuta ka qëndruar viktima i shtrirë dhe i gjakosur. E mbuluan krejtësisht, sepse autorët e qëlluan në kokë. Ndërsa autorët u larguan në një makinë të zezë që po i priste para lokalit. I plagosur ka ngelur edhe një shok i Saimirit, po pinin kafen bashkë.

-Ju e njihnit personalisht Saimirin?
Rrësheni është një qytet i vogël dhe njihemi pothuajse të gjithë personalisht. Viktima ka qenë njeri fantastik, kishte një shoqëri shumë të zgjeruar dhe prej vitesh ka qenë emigrant. Ai ishte i fejuar me një vajzë nga Rubiku. Kishte një histori shumë të bukur familjare, sepse ai ka 9 motra më të mëdha. Pas 9 motrash kanë lindur Saimiri dhe vëllai i tij (binjakë). Aktualisht, vëllain e ka emigrant. Sapo morën vesh kanë ardhur menjëherë tre motrat, klithmat e atyre motrave nuk kam për t’i harruar kurrë.

-Ka pasur ndonjë konflikt Saimiri më parë?
Mesa di unë, ka pasur dy raste dhune me mjete të forta, por që janë zgjidhur. Për personat e dhunës mos më pyet se nuk i di.

Exit mobile version