Kapen 7 blerës votash, të gjithë drejt Dibrës

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga zgjedhjet e së djelës për Bashkinë e Dibrës, përpjekjet e Ramës për të vjedhur votat janë intensifikuar. Mbrëmjen e djeshme, banorët e zonës kanë kapur në flagrancë në fshatin Pilaf, një grup kriminal prej 7 personash me në krye administratorin e Tominit, Nuri Meda, duke blerë vota për kandidatin socialist Muharrem Rama.
Administratori u pikas nga vetë banorët, duke shpërndarë lekë për blerje votash. Banorët thonë gjithashtu se, administratori socialist po blente votat nën mbikëqyrjen e furgonit të policisë. Pas këtij incidenti, përfaqësues të Partisë Demokratike që ndodhen në terren për të parandaluar rastet e blerjes së votës, pasi kanë marrë informacion se çfarë po ndodhte, kanë bërë denoncim në Prokurori ndaj administratorit Nuri Meda dhe ndaj shefit të komisariatit Robert Aga.
“Shtabi elektoral i Partisë Demokratike ka marrë informacion për shpërndarjen e parave gjatë natës së sotme (djeshme) nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejorë të administratës publike, nën mbrojtjen dhe shoqërimin e policisë së drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga.
Kështu, në fshatin Pilafe, komunaTomine u kapen nga banorët dukë shpërndarë lekë për blerje votash administratori i Tominit Nuri Meda së bashku me Shefki Ademin në makinën X5 e zezë, AA909KH, nën mbikqyrjen e furgonit të policisë me targa POLICIA 0788 me përgjegjës Robert Aga.
Nuri Meda dhe Robert Aga janë kallëzuar penalisht  nga Partia Demokratike në prokurori me datë 1 shtator si anetarë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës.
Në fshatin Allabegi, komuna Maqellarë: Urim Beçaj djali i kryeplakut Petrit Beçaj është kapur duke shpërndarë para. Në komunën e Sllovës: Xhezair Fejza drejtor i shkollës 9 vjeçare Sllovë dhe Astrit Sulejmani janë kapur nga banorët duke shperndarë para në fshatin Shumbat, njësia administrative, Sllovë. Qamil Lata nga Staraveci është kapur nga banorët duke shperndarë lekë te shkolla bujqësore.  Në vend të ndalimit dhe  arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, po i  japin mbulim dhe mbështetje këtij krimi elektoral” thuhet në reagimin e PD.
Pak ditë më parë, një grup i strukturuar kriminal është denoncuar nga Partia Demokratike si organizator të një skeme të mirëfilltë për blerjen e votave për zgjedhjet për kryebashkiak në Dibër. Ky grup i strukturuar kriminal blen vota dhe kanos votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama. Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi 10 ditësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër.
Ky nuk është një rast i izoluar i përpjekjeve të njerëzve të Ramës për të vjedhur vota. Mbrëmjen e së mërkurës, emisioni investigativ “STOP” denoncoi blerjen e votës në Dibër. Në shkëmbim të votës jepet ndihmë ekonomike për 485 persona më shumë se muaji i kaluar në Maqellarë. Rreth 8 mijë zgjedhës shkojnë këtë të dielë në kutitë e votimit për kryetarin e Bashkisë në Peshkopi. Brenda një muaji vetëm në Maqellarë, në listën e ndihmës ekonomike janë shtuar në total 485 familje.

Lista me kapurit në flagrancë duke vjedhur vota

Robert Aga, Shef i Komisariatit të Policisë Peshkopi
Xhezair Fejza drejtor i shkollës 9 vjeçare, Sllovë
Qamil Lata, person me precedent penal, eksponent i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Kalasë së Dodës
Nuri Meda, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të caktuara të Bashkisë Dibër
Shefki Ademi, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të caktuara të Bashkisë Dibër
Astrit Sulejmani, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të caktuara të Bashkisë Dibër
Urim Beçaj, djali i kryeplakut Petrit Beçaj është kapur duke shpërndarë para

PD ultimatum-Ramës: Mos luaj me zjarrin

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallëzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator.  Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë strukturave të saj, dhe gjithë qytetarëve të Dibrës të kryejnë arrestimin qytetar të çdo personi qe angazhohet ne blerje votash dhe te konfiskojne me çdo mjet dhe çdo forme parate e droges dhe krimit që po perdoren per kete krim elektoral. Partia Demokratike i siguron qytetarët e Dibrës se nuk do te lejoje me asnje cmim  tjetersimin e vullnetit te tyre nga bandat e Edi Rames dhe se pergjigja do të jetë flakë për flake, sy per sy, dhemb per dhemb. Vota është e shenjte. Edi Rama dhe bandat e tij duhet ta ndalin menjehere kete loje me zjarrin. Asnje bande, asnje kriminel me mbrojtje shteterore nuk do ta ndale dot vullnetin e dibraneve.