Hahn: Droga, rrezikon imazhin e një vendi të krimit të organizuar

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn flet për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

-Ju keni qenë në kontakt me partitë politike deri në orët e fundit para miratimit të Reformës në Drejtësi. Sa e vështirë ishte për të arritur një konsensus dhe çfarë bëri diferencën?
Ka negociata që zgjasin deri në minutat e fundit. Të duhet të ndalësh kohën. Më në fund ia dolëm dhe mundëm të bindnim të gjithë që është në interesin e tyre. Nëse nuk gabohem, më shumë se 90% e shqiptarëve prisnin aprovimin e kësaj reforme, pasi ajo është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Reforma e gjyqësorit nuk është detyrim i perspektivës europiane, është detyrim për qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë e kanë pritur këtë reformë dhe e meritojnë atë. Ndaj, jam i lumtur që mund të kontribuonim sado pak.

-Kontributi për konsensusin në Reformën Gjyqësore ju njihet kryesisht juve. Po të kërkosh në shtypin shqiptar ende gjen: Një letër nga komisioneri Hahn solli konsensusin midis koalicionit qeverisës dhe opozitës për Reformën e Gjyqësorit. Atë që bëtë ju me një letër, ambasadori i BE-së  dhe SHBA-ve në Tiranë nuk arritën t’a bënin në disa muaj. Si ia dolët për të gjetur kompromisin më të mirë? Cila është diferenca. Ju dini t’ju flisni bashkëbiseduesve tuaj?
Nëse je për një kohë të gjatë në politkë dhe i njeh mirë strukturat demokratike ku të duhet të negociosh vazhdimisht, e di se si t’u drejtohesh interlokutorëve të tu, aq më tepër kur bëhet fjalë për të arritur një interes të përbashkët. Mora vendimin që të shkruaja një letër. E mora vetëm. Ishte një vendim personal, por funksionoi.

-Ju nënvizuat zbatimin e Reformës në Drejtësi. Qytetarët shqiptarë presin të shohin rezutate konkrete. Cilat janë rrjedhojat e shpejta të kësaj reforme? Mendoni vërtet se mund të ketë arrestime të peshqve të mëdhenj?
Këtu duhet t’ju kërkoj të tregoni durim. Sigurisht, që ka shumë pritshmëri dhe qytetarët duan të shohin diferencën që do të sjellë kjo reformë. Por kjo diferencë nuk do të vijë brenda dy javësh apo brenda dy muajsh. Ajo mund të shihet pas disa muajsh apo ndoshta pas disa vitesh. Por rrjedhoja e parë që mund të ketë nëse kjo reformë zbatohet siç duhet është thithja e investimeve të huaja. Investimet e huaja kanë nevojë të bazohen në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Kjo do të favorizojë bizneset, do të krijojë punë të reja, do të rrisë mirëqenien. Sigurisht, që qytetarët presin rezultate të menjëhershme, por për këto ndryshime duhet treguar pak durim. Ndoshta pas 2-3 vjetësh, qytetarët do të ndjejnë frytet e reformës që u arrit në 2016.

-Për Reformën në Drejtësi, ju theksuar dy herë, nëse reforma zbatohet. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që Komisioni Europian do të presë për zbatimin e reformës para se të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit?
Ne kemi 5 prioritete kyçe që duhet të plotësohen. Reforma në Drejtësi është një prej tyre. Hapi që vjen është ngritja e Komisioneve të Vettingut dhe pastaj vijojnë hapat e tjerë. Unë kam komunikuar dje me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe kjo organizatë po ndihmon për këtë proçedurë. Komisioni Europian është i gatshëm që të mbështesim financiarisht për këtë, por Këshilli i Europës jep ekspertizën e tij në këtë drejtim.

-Ka një shqetësim në rritje për numrin e madh të plantacioneve të kanabis në Shqipëri. Po jua shtroj pyetje të përgjithshme. Si e shihni luftën kundër drogës dhe kundër krimit të organizuar në Shqipëri?
Unë shpresoj, që aprovimi i Reformës në Drejtësi do të japë një nxitje për luftën kundër krimit të organizuar. Përveç aspektit të sigurisë, është një rrezik potencial për vendin nëse imazhi i tij lidhet me krimin e organizuar dhe çështje të tjera që lidhen me të. Eshtë e rëndësishme jo vetëm që të ketë hetime, por edhe të kemi rezultate të këtyre hetimeve. Shpresojmë, që Reforma në Drejtësi të sjellë dënimin para drejtësisë së përgjegjësve të veprave që ndëshkohen nga ligji.

-Reforma zgjedhore është hapi i ardhshëm. A keni një afat kohor për t’ju kërkuar palëve që të përmbyllin këtë reformë?
Do të diskutojmë për këtë nesër dhe më pas. Modifikimi i Kodit Elektoral duhet të bëhet para zgjedhjeve të përgjithshme, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në bazë të kodit të ri elektoral. Ka rekomandime nga ODHIR që duhen zbatuar. Gjithçka është e qartë. Por qartësia e rekomandimeve është një gjë dhe aprovimi i tyre është një gjë tjetër. Shpresoj që për këtë reformë do të ruhet e njëjta frymë që mbizotëroi për Reformën në Drejtësi.

-Kur hapja e negociatave të anëtarësimit iu shtrohet si pyetje shteteve anëtare, ka disa prej tyre që nuk janë gati të japin dritën jeshile pa parë zgjedhjet e përgjithshme. Kjo bazuar në rastin më të freskët të parregullsive në zgjedhjet lokale të 2015, por gjithashtu, sepse Shqipëria ka një histori problematike proçesesh zgjedhore. E ndani këtë mendim të shteteve anëtare apo jeni më optimist?
Unë jam gjithnjë optimist, por optimizmi në vetvete nuk mjafton. Eshtë e rëndësishme që reformat të kryhen. Kjo është ajo që presin shtetet anëtare dhe është një mundësi e mirë për t’u treguar shteteve anëtare se ka një frymë të re bashkëpunimi në Shqipëri për të mbështetur apsiratat e integrimit të Shqipërisë.