Basha: Hetim dhe kontroll të plotë skandalit të qeverisë me maturantët

Kandidati për kryetar bashkie i Dibrës, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takuan me maturantë dhe studentë të Dibrës. Maturantët shprehën shqetësim për situatën e krijuar me pranimet në universitete. Kaosi i krijuar, nga paaftësia, ndryshimi i rregullave në minutën e fundit dhe pseudoreforma në arsim i ka privuar padrejtësisht nga e drejta për të vijuar studimet e larta.
Maturante: “Pata një mesatare le të themi nga formula e re e AKP-së prej 9.28 ose me formulën e vjetër 9.7 dhe pretendoja jo pak të arrija. Por unë po humbas të drejtën për të studiuar dhe kjo sigurisht që më ka tronditur jashtë mase. Desha të them që një reformë nuk është asgjë krahasuar me forcën që mund të kemi të gjithë ne së bashku. Pasi të gjithë së bashku mund të arrijmë atë çka ne duam dhe askush nuk ka të drejtë të na mohojë të drejtën për studim, për të pasur një karrierë dhe për t’u arsimuar“.
Lulzim Basha: “Nuk duan t’ia dinë, nuk iu bëhet vonë se në çdo vend normal në qoftë se do të kishte ndodhur skandali që ka ndodhur këto 48 orë, minimumi ministri i Arsimit do të ishte larguar.
Ne do të hedhim disa hapa konkretë në mbështetjen tuaj. Ne do të çojmë një grup deputetësh në Agjencinë Kombëtare të Provimeve për të parë konkretisht çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur.
Unë i kam bërë thirrje publikisht dhe nesër do t’ia bëjë zyrtarisht, Kontrollit të Lartë të Shtetit të nisë menjëherë auditimin. Thirrje rektorëve të universiteteve që qeveria dëshiron t’i shtijë në dorë me këtë sistemin e bordit të administrimit të mos pranojnë, të mos çertifikojnë këtë krim”.
Studentët shprehën shqetësimin edhe për tarifat e larta, të cilat ua pamundësojnë vijimin e studimeve. Një tjetër shqetësim ishte dhe mbyllja e filialit të Universitetit të Peshkopisë.
Lulzim Basha: “Me ardhjen tonë në pushtet mbështetje të padiskutueshme, të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për çdo të ri dhe të re që dëshiron të studiojë, duke i krijuar mundësi aty ku mundemi, afër shtëpisë së tyre, siç është filiali i Peshkopisë dhe kudo ku ka universitete publike. Çdo student apo studente do të mund të studiojë me një tarifë të përballueshme, të subvencionuar në raste të caktuara nga shteti. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta për të studiuar”.
Kandidati për kryebashkiak, Sherefedin Shehu tha se Bashkia nën drejtimin e tij do të ketë një fond të veçantë për të rinjtë të cilët do të jenë prioritarë për punët në bashki. Zoti Shehu tha se do të ngrihet dhe një fond ekselence si dhe do të mbështeten studentët në nevojë që s’paguajnë sot tarifën për universitete publike.
Sherefedin Shehu: “Bashkia do të ketë edhe një fond që ekselencën që këtu në nivelin e ekselencës së mesme. Por nga ana tjetër do të mbështesim nxënësit në nevojë, sidomos kur të vijë radha për të shkuar në universitet siç jeni ju, që ata që kanë nevojë të mos pengohen për arsye ekonomike për të shkuar në shkollë. Zyrat e bashkisë do të jenë tuajat sot ose nesër, ju do të jeni ata që do të jepni energjinë bashkisë, zhvillimit të qytetit, zhvillimit të Dibrës dhe ju do të jeni sipërmarrësit e nesërm të qytetit të Dibrës që të mos presim që ta ushqejnë të tjerët, por t’i dalim zot vetes”.
Axhenda e takimeve elektorale e zotit Shehu vijoi me banorë në Brezhdan, Ushtencë dhe Komunën Sllovë. Zhgënjimi i banorëve ishte i madh nga keqqeverisja e Edi Ramës, kryesisht e socialistëve që kësaj here kanë vendosur të votojnë për Sherefedin Shehun. Këtë gjë e deklaroi Nexhmi Seli dhe Fahri Çera, ish-kryetari PS-së i Komunës Sllovë.
Fahri Çera: “Në zgjedhjet e para të nderuar, unë isha dhe bëra politikën e majtë. Isha kryetar i PS-së së Komunës Sllovë, u kërkova votë për atë forcë politike dhe ajo u realizua. Por tani ju bëj një thirrje tjetër, të më falni, sepse kisha bërë një thirrje të gabuar. T’ju bëj një thirrje tjetër për arsye se PS nuk zhgënjeu një parim, por zhgënjeu një pjesë të intelektualëve dibranë, të cilët kanë punuar për këtë vend, kanë punuar për këtë popull dhe i lanë në bulevard, abuzuan me licencat në Kuvend, abuzuan me shumë punë dhe tendera, abuzuan me dokumentacionet. Popullin e Dibrës unë e quaj me fat, e quaj prapë me fat, sepse në këtë hark kohor shumë të shkurtër i erdhi momenti që të reagojë, të vlerësojë veten e vet, të vlerësojë dhe të nderojë PD, e cila vendosi në krye të bashkisë një ekonomiste, ku komentet i bëri nga kryetari deri tek… Atëherë iu bëj thirrje të gjithë socialistëve të zhgënjyer, të gjithë popullit dibranë të ndershëm, të gjithë forcës politike të djathtë, PD dhe Republikane, që në unison të votojmë Sherefedin Shehun, përfaqësuesin e Partisë Demokratike”.
Shehu në fjalën e tij theksoi se, ky bashkim i madh dibranësh është forca që do ta ndryshojë Dibrën e do t’u kthejë shpresën dibranëve.