Alegri: Për suksesin e radhës

Ndaj Sassuolos, Juventusi do të kërkojë të vazhdojë serinë e fitoreve radhazi. Bardhezinjtë e kanë nisur kampionatin në mënyrën më të mirë. Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para ndaj Fiorentinës dhe Lazios, Sausolo është rivali i ardhshëm i “Zonjës së Vjetër”. Trajneri i kampionëve të Italisë, Massimiliano Alegri në konferencën tradicionale të shtypit përpara kësaj sfide la të kuptohet se te bardhezinjtë ka ardhur momenti i Gonzalo Higuain.
“Ndaj Sassuolos na pret një takim jo i lehtë. Paraqitjet e tyre në kampionat, por edhe në Europa League kanë treguar se janë një skuadër që nuk duhen nënvlerësuar. Higuain ka shanse të mëdha për ta nisur sfidën që nga minuta e parë. Dybala gjithashtu do të luajë. Në mbrojtje do të jetë Stephan Lichsteiner, por dhe Chiellini, ndërkohë që Barzagli do të qëndrojë në stol, e njëjta gjë vlen edhe për Dani Alves. Sa i përket Pjanic të shohim. Skuadra do të kërkojë me çdo kusht tre pikët e radhës”.
Transferimi i Alex Witsel dukej një çështje e mbyllur, por në fund palët nuk arritën akordin. Pavarësisht këtij fakti, Alegri nuk duket aspak i shqetësuar, pasi është i kënaqur me futbollistët që ai ka në dispozicion.
“Merkato është mbyllur tashmë dhe është një temë që nuk ia vlen të diskutojmë. Jam shumë i kënaqur me futbollistët që kam në dispozicion. Kam gati 6 mesfushorë, të cilët më japin mundësinë të luajë me skema të ndryshme”.
Në fund trajneri i “Zonjës së Vjetër” foli dhe për mesfushorin Claudio Marchisio, i cili prej disa muajsh po qëndron larg ekipit për shkak të një dëmtimi të rëndë. Alegri deklaroi se faza e rikuperimit e mesfushorit italian është duke shkuar shumë mirë edhe pse Marchisios i duhet ende pak kohë për të qenë në 100% të formës.

Superkupa e Italisë, më 23 dhjetor në Doha

Finalja e Superkupës së Italisë do të luhet në Katar. Juventusi, ekipi kampion i Seria A dhe Milani, finalisti i Kupës së Italisë do të ndeshen me njëri-tjetrin më 23 dhejtor në Doha të Katarit. Bardhezinjtë do të kërkojnë trofeun e parë sezonal. Misioni është i njëjtë dhe për kuqezinjtë, por me një rëndësi akoma dhe më të madhe në rast fitimi, pasi do t’i motivonte futbollistët e trajnerit Vicenco Montella dhe gjatë kampionatit. Njoftimi ka ardhur nga Presidenti i Ligës italiane të futbollit, Maurizio Berreta, i cili në daljen e tij përpara mediave u shpreh për arritjen e marrëveshjes me homologët e tij në Katar.
Kjo është hera e nëntë që trofeu i SuperKupës do të jepet jashtë kufijve të Italisë. Për herë të parë është zhvilluar në vitin e largët 1993 në Uashitngton. Më pas në 2002 në Tripoli, në New York në 2003. Tre edicione të këtij trofeu janë zhvilluar në Pekin konkretisht në vitet 2009, 2011 dhe 2012. Në 2014 u zhvillua në Doha dhe në 2015 në Shangai. Presidenti i shoqatës së futbollit në Katar, Sheiku Hamad bin Khalida Al Thani u shpreh i lumtur që vendi i tij do të jetë mikëpritës i një finalaje të tillë dhe i dy klubeve shumë të rëndësishme të botës së futbollit.