4 ton drogë me vlerë 200 milionë euro nga Shqipëria kapet në Itali

Policia italiane ka sekuestruar dje në Leçe, një sasi rekord prej 3 ton e 900 kg marijuanë që ishte futur nga Shqipëria. Bëhet e ditur se kjo sasi e madhe droge është sekuestruar në dy operacione në rrethinat e Leçes dhe të Brindisit. Sipas policisë italiane, pjesa më e madhe e lëndës narkotike është sekuestruar në Leçe, 2.7 ton. Operacioni nisi mbrëmjen e të enjtes rreth orës 18:00. Siç raportojnë mediat italiane, 2 italianë dhe 4 shqiptarë ishin takuar në një hotel në këtë qytet për të diskutuar për shitjen e kësaj sasie, që vinte nga Shqipëria.
Policia kishte rënë në gjurmë të tyre dhe ndërhyri në hotel, duke kapur në flagrancë dy italianët, shtetasit shqiptarë Fatmir Xhelili 35 vjeç, Gëzim Arbëri 48 vjeç me banim në Leçe, Rudolf Luzaj 26 vjeç dhe Elvin Kamo 37 vjeç si dhe dy italianët Vito Massimo Guida dhe Oristo Tatti. Në një banesë në pronësi të këtij të fundit në fshatrat pranë Leçes, policia gjeti 100 kg marijuanë. Ndërsa pjesa tjetër, 2.6 ton marijuanë u sekuestruan një në ndërtesë në zonën industriale të qytetit. Policia sekusetroi edhe celularët e tyre, që iu dorëzuan për hetim Prokurorisë.
Ndërsa pjesa tjetër e sasisë totale, rreth 1 ton marijuanë u sekuestrua rreth orës 5 të mëngjesit në një autostradë pranë Brindisit. Në pranga ranë 5 shqiptarë. Droga po transportohej me furgon nga dy prej shqiptarëve të arrestuar. Ndërsa tre të tjerët shoqëronin me një autoveturë. Këta të fundit bënë një tentativë të dështuar për t’u arratisur, sapo vunë re se po ndiqeshin nga policia. Të përditshmet italiane shkruajnë se e gjithë sasia e kapur e marijuanës mund t’a ketë prejardhjen nga Shqipëria, që siç shkuajnë ato është prodhuesi më i madh i marijuanës në Europë.

Operacioni

Gjithçka nisi nga ndalimi i dy automjeteve tip “Fiat” Croma në një fshat në Leçe, të cilat kishin tërhequr vëmendjen e policisë, pasi dilnin me shpejtësi dhe në mënyrë të dyshimtë, nga një vilë aty pranë. Nga kontrolli i tyre, policia sekuestroi rreth 100 kilogramë marijuanë dhe arrestoi dy shqiptarë dhe dy italianë.
Agjentët italianë ushtruan kontroll më pas në vilën nga dilnin trafikantët, ku gjetën një dhomë të mbushur me thasë me drogë, me një peshë totale prej 2.6 tonësh. Brenda në vilë, policia arrestoi edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët kishin për detyrë të ruanin marijuanën, si edhe sekuestroi disa armë zjarri.
Sipas mediave italiane, banesa ishte e pajisur me sistem modern survejimi dhe shërbente si bazë e rrjetit shqiptaro-italian të narkotrafikut. Autoritetet në vendin fqinj njoftuan se, thasët e drogës ishin të njomë e të bërë pis me rërë, çka rrit mundësinë e ardhjes së saj nga deti.
Disa orë më vonë, në një operacion të lidhur me të parin, forcat italiane ndaluan një furgon tip “Fiat” Iveco, në një fshat të Brindisit, në bordin e të cilit u gjetën edhe 1.2 ton marijuanë. Në pranga ranë 5 persona të tjerë, të gjithë shqiptarë, 2 prej të cilëve udhëtonin me furgon, ndërsa 3 të tjerë udhëtonin me një autoveturë dhe shërbenin si eskortë.
Mediat italiane shkruajnë se banda ndërkombëtare e narkotrafikut e sillte drogën me skafe dhe kamionë nga Shqipëria, që nga mediat italiane cilësohet si vendi me prodhimin më të madh në Europë. Hetimet rreth këtij grupi vijonë, ndërsa raportohet se nëse do të hidhej në treg, marijuana e sekuestruar do të kapte vlerën e mbi 20 milionë eurove.

R.POLISI