Riberi do Champions

Nga e tashmja tek e ardhmja, Franck Ribery nuk fshihet. Futbollisti francez në një intervistë zbuloi se këtë sezon më shumë sesa Bundesligën dëshiron të fitojë Championsin me Bayernin. Por jo vetëm kaq, nëse dikush mendon se ky mund të jetë viti i fundit i Ribery te skuadra bavareze gabohet rëndë, sepse 33-vjeçari ka objektiva të tjerë.
“Të them të drejtën më shumë sesa titullin e 5-t radhazi në Bundesligë, këtë vit dëshiroj të fitoj Championsin me Bayernin, pasi ky trofe shijon më shumë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne do të heqim dorë nga kampionati, jemi një skuadër e madhe dhe duam të triumfojmë në çdo kompeticion ku marrim pjesë. Nuk do të jetë e lehtë, por mund tia dalim. Edhe fitimi i kampionatit është një objektiv i rëndësishëm për ne. E ardhmja ime? Mendoj se do të qëndroj te Bayerni edhe për dy apo tre vite të tjera. Nuk e di realisht se çfarë do të ndodhë, por ajo që mund të them është se aktualisht e ndiej veten në një formë të shkëlqyer, dhe gjërat e tjera le tia lëmë kohës”, u shpreh Riberi.
Francezi i ka hedhur pas krahëve dëmtimet e njëpasnjëshme që nuk e lejuan të jepte rregullisht kontributin e tij te Bayerni në dy sezonet e kaluara. Pak nga pak, Ribery po arrin formën e tij maksimale dhe me Ançelotin në drejtimin e kampionëve të Gjermanisë i ka të gjitha mundësitë për t’u rikthyer ai i dikurshmi. 33-vjeçari në prononcimin e tij foli me superlativa për trajnerin italian.
“Ançeloti është një person i qetë. Ai është një njeri shumë human, i aftë për të qeshur në çdo moment. Ne futbollistëve na pyet çdo ditë se në çfarë gjendjeje jemi. Të gjithë në skuadër kemi një raport shumë të mirë me të që na ndihmon për të punuar në mënyrë të shkëlqyer. Por edhe pse futbolli është jeta jonë nuk mund të flasim gjithmonë për të, kjo është edhe arsyeja se përse asnjëri nga futbollistët nuk ka dalë të kritikojë Carlon, pasi përveç se një trajner i madh, ai është një njeri me shumë vlera”, përfundoi Riberi.
Në listën që ka publikuar trajneri i bavarezëve i ka dhënë shansin edhe talentin të vetëm shqiptar që ndodhet në këtë skuadër. Trajneri italian, Carlo Ançeloti, e ka përfshirë Meritan Shabanin në listën B të skuadrës. Kjo do të thotë që ai do të jetë gati në rast të ndonjë mungese nga lista A. Shabani, i cili me origjinë është nga Kosova, është vetëm 17-vjeçar dhe luan në rolin e mesfushorit. Ai llogaritet si njëri ndër talentët më premtues në “Alianz Arena”.