Ambasada e SHBA: Kontrolloni listat, fitues të rinj për lotarinë amerikane

Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur dje se, janë përzgjedhur fitues të rinj për lotarinë amerikane. Në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të kësaj Ambasade, u kërkohet të gjithë aplikuesve që të kontrollojnë statusin e tyre, nëse janë përzgjedhur si fitues në programin e lotarisë DV – 2017. Ndaj të gjithë ata që nuk janë përzgjedhur si fitues të lotarisë kanë një tjetër shans. Mjafton të vendosni numrin e konfirmimit që keni marrë pas aplikimit, për të kontrolluar nëse jeni në mesin e të përzgjedhurve të rinj. “Janë shtuar të përzgjedhur të rinj për programin e lotarisë DV-2017. Kontrolloni statusin tuaj për të parë nëse jeni përzgjedhur. Hyni tek faqja e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.state.gov duke përdorur numrin tuaj unik të konfirmimit. Të përzgjedhurit duhet të plotësojnë menjëherë formularin elektronik DS-260, në mënyrë që t’u caktohet një datë takimi në Konsullatën e SHBA-së. Konsullatat kanë në dispozicion vetëm një numër të kufizuar datash takimi çdo muaj për aplikantët e lotarisë, ndaj është thelbësore që të përzgjedhurit e lotarisë të fillojnë procesin e vizës menjëherë. Mbani mend, Departamenti i Shtetit nuk do u dërgojë të përzgjedhurve të lotarisë njoftim me postë apo me email. Edhe nëse ju vjen ndonjë email nga Departamenti i Shtetit, ai është vetëm për t’ju udhëzuar që të hyni tek faqja e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.state.gov ku do të gjeni udhëzime specifike për çështjen tuaj. Ndaj, nëse ju vjen një email, duke ju kërkuar për gjëra që nuk ju kemi thënë në më lart, injorojeni atë, është një mashtrim. Programi i lotarisë DV-2017 mbaron më 30 Shtator 2017. Për më tepër nëse të gjitha 50,000 numrat e vizave janë lëshuar përpara kësaj date, programi do mbyllet më shpejt. Të përzgjedhurit duhet të veprojnë me shpejtësi që tani, pasi procesi i vizës mund të jetë i gjatë. Vizat për programin DV-2017 nuk mund të lëshohen pas 30 Shtatorit 2017. U rekomandojmë të regjistruarve të kontrollojnë statusin e tyre të aplikimit nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.state.gov, duke përdorur numrin tuaj unik të konfirmimit që morët kur aplikuat fillimisht për lotarinë DV-2017” thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.