Ballina Politikë Unioni i Prokurorëve: Reforma ka bllokuar hetimin e dosjeve të korrupsionit

Unioni i Prokurorëve: Reforma ka bllokuar hetimin e dosjeve të korrupsionit

Ndryshimet e reja kushtetuese kanë futur në ngërç punën e Prokurorisë, ndërsa kanë bllokuar dosjet e korrupsionit që ishin në proces hetimi. Mungesa e dispozitave kalimtare rregullatorë për këtë periudhë deri në miratimin e ligjeve organike dhe krijimin e funksionimit të organeve të  reja të parashikuara nga Kushtetuta, po sjell pasiguri juridike dhe mund të cenojë ecurinë e procedimeve penale që janë në hetim dhe të çështjeve penale që janë në gjykim.
Pas Prokurorisë së Përgjithshme edhe Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për ngërçin e krijuar në organin e akuzës, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re. Përmes një deklarate për mediat, Unioni bën me dije se mungesa e dispozitave kalimtare ka krijuar një problematikë në funksionimin e organit të akuzës për qindra çështje që janë ende në hetim ose në fazë gjykimi. Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë thotë se në asnjë rast nuk është bërë pjesë e diskutimeve politike rreth dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor.
Unioni thekson se është dhënë kontribut individual ose kolektiv vetëm për aspektet teknike. “Në një kohë kur prokurorët e Republikës së Shqipërisë janë duke hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjykatë për qindra e mijëra çështje penale, konstatohet një situatë e nderë e krijuar nga mosmiratimi i ligjeve organike në zbatim të ndryshimeve kushtetuese të datës 22.07.2016.
Krijimi i Prokurorisë së Posaçme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organizimi i Prokurorisë të Republikës së Shqipërisë, kërkon, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë një afat deri në tetë muaj pas miratimit të Kushtetutës. Kjo kohë e gjatë, ka marrë në konsideratë dhe faktin se asnjë ligj nga paketa e shtatë ligjeve bazë të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor nuk është miratuar ende apo nuk ka hyrë në fuqi, po sjell dhe do të sjellë një vakum ligjor që do të cenojë funksionimin normal të sistemit gjyqësor dhe të punës së përditshme të Prokurorisë shqiptare”, thuhet në reagim.
Në përfundim Unioni ngre edhe njëherë shqetësimin për hetimin e dosjeve të korrupsionit, për të cilat thotë se nuk ka dispozita kalimtare që të bëjnë të mundur vijimin e hetimit të tyre.
“Mungesa e dispozitave kalimtare rregullatorë për këtë periudhë deri në miratimin e ligjeve organike dhe krijimin e funksionimit  të organeve të  reja të parashikuara nga Kushtetuta, po sjell pasiguri juridike dhe mund të cenojë ecurinë e procedimeve penale që janë në hetim dhe të çështjeve penale që janë në gjykim. Në një kohë, kur Kushtetuta parashikon dispozita kalimtare rregullatore për institucione të tjera të sistemit të drejtësisë (neni 179/dh pika 12), nuk ka parashikuar funksionimin e  institucioneve të Prokurorisë dhe ajo që është më e rëndësishmja ka krijuar një mosfunksionim sa i përket hetimit dhe gjykimit të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në përfundim, të vetëdijshëm për detyrën dhe  pritshmëritë e publikut për Reformën në Drejtësi, kërkojmë nga organet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, miratimin sa më shpejt të ligjeve në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe marrjen e masave për funksionimin normal të punës së Prokurorisë, deri në ditën e miratimit të atyre ligjeve dhe ngritjes dhe funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë”, sqarohet në reagimin e Unionit të Prokurorëve.
Edhe në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme konstatohej i njëjti shqetësim. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin në juridiksion fillestar (hetimin e zyrtarëve të lartë, deputetë, ministra, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj). Sipas dispozitave të reja, kompetenca për hetimin e këtyre funksioneve i takon Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Prokuroria e Përgjithshme konstaton si problematikë mungesën e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut. Po ashtu, problematikë është edhe fakti se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për trajtimin e rasteve të juridiksionin fillestar që janë aktualisht në gjykim apo në hetim.
Nga ana tjetër, Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën e vendimmarrjes për karrierën e prokurorëve (emërim, komandim, transferim, shkarkim). Kushtetuta e re ia ka caktuar këtë kompetencë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Kjo strukturë e re duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Prokuroria e Përgjithshme konstaton se, deri në ngritjen e KLP-së, krijohet ngërç në disa nivele të Prokurorisë, ku aktualisht ka drejtues prokurorie, prokuror dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të komanduar, të cilëve u përfundon afati i komandimit. Gjithashtu, brenda muajit tetor 2016 duhen emëruar prokuror magjistratët e rinj, të cilët kanë fituar këtë të drejtë. Edhe për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se është shumë e nevojshme miratimi i një dispozite tranzitore kushtetuese, për të rregulluar veprimtarinë deri në aplikimin e plotë të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi.

Exit mobile version