Tirana në kaos, Rama e Veliaj luajnë me nervat e qytetarëve për interesat e tyre

Bashkia e Tiranës ka filluar rrethimin e Sheshit “Skënderbej”, për të filluar punimet për rindërtimin e tij.
Gjatë periudhës së verës, Bashkia sajoi me ngut disa takime të informimit të publikut, të cilat në fakt u bënë në injorim të plotë të detyrimeve ligjore që rregullojnë procesin e informimit të publikut.
Megjithatë i gjithë projekti mbetet ende i panjohur për publikun-asnjë e dhënë bazë dhe informacion tjetër i projektit nuk është bërë publik ndonjëherë. Nuk është bërë publik projekti arkitekturor dhe komponentët e projektit; nuk është bërë publike zgjidhja e menduar për trafikun dhe transportin publik nga mbyllja e sheshit; nuk dihet kostoja e projektit; nuk dihen studimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis të punimeve; etj. Me pak fjalë, nuk ka asnjë informacion, asnjë të dhënë, asnjë detaj publik.
E vetmja gjë që u është treguar qytetarëve të Tiranës janë 4-5 imazhe render kompjuteri, të cilat janë më afër mes propagandës e realitetit.
Sikur të mos mjaftonte kjo errësirë informative, në mënyrë të beftë para rreth katër javësh, Kryeministri Rama “njoftoi” me Facebook se në Sheshin “Skënderbej” do të ndërtohej edhe një parkim i madh nëntokësor. Njoftimin prej disa fjalësh, ai e shoqëroi me disa foto render të parkimit, dukshëm të zbukuruara, pasi ndër të tjera paraqisnin pemë nëntokësore.
Asnjë informacion tjetër nuk u është bërë publik për këtë projekt të ri në shesh.
Rindërtimi i Sheshit “Skënderbej” ka qenë një ide e hershme e Kryeministrit Rama, që posa ai erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës. Nën udhëzimet e tij u hartua një projekt për rindërtimin e sheshit nga studioja belge 51N4E-e cila ka lidhje shumë të ngushta me Kryeministrin Rama përfshi projektimin e vilës së tij private në Surrel-dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit me të cilin ka realizuar disa projekte të artit bashkëkohor.
Ky projekti filloi të zbatohej në vitin 2010, por me ardhjen në krye të Bashkisë së Lulzim Bashës në vitin 2011, punimet u ndërprenë dhe sheshi u kthye në gjendjen që është sot.
Por, një vit më parë, posa në krye të Bashkisë Tiranë erdhi Erion Veliaj, ai u angazhua menjëherë për rifillimin e rindërtimit të sheshit sipas projektit të hershëm të zotit Rama.
Projekti i Sheshit “Skënderbej” është vetëm një nga disa projektet që zoti Rama ka planifikuar të zbatojë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga Sheshi “Skënderbej” tek Sheshi “Nënë Tereza”, ku përveç rindërtimit të sheshit, përfshihen: parkimi nëntokësor në Sheshin “Skënderbej”; i ashtuquajturit Parku i Besimit para Piramidës dhe në hapësirën përballë Rognerit—mbjellja e të gjitha varieteteve të pemëve që janë përmendur në Bibël, Kuran dhe Torah; ndërtimi i stadiumit të ri, i cili gjithashtu do të përfshijë një parkim të madh në Sheshin “Italia” përpara tij, kthimi i vetë Sheshit “Nënë Tereza” në shesh për lojëra dhe zonë sportive; ndërtimin në krah të Korpusit të Universitetit; për të vazhduar pastaj me disa ndërtime në Parkun e Liqenit.
Nëse këto projekte do të realizohen, qendra e Tiranës do të ndryshohet rrënjësisht dhe karakteri dhe identiteti i saj i dikurshëm do të humbasë, duke u zëvendësuar apo plotësuar me vizionin dhe shijet e Kryeministrit Edi Rama për qendrën e Tiranës.

527 milionë për kaosin pa kuptim

Projekti “Rikualifikimi Urban i Sheshit “Skënderbej”, Faza e I-rë”, parashikon ridizenjimin e Sheshit “Skënderbej”, vetëm katër vjet pas dizenjimit aktual, dhe pritet të kushtojë 527 milionë lekë (3.8 milionë euro). Projekti është financuar nga qeveria shqiptare përmes instrumentit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe po zbatohet si projekt i Bashkisë Tiranë.
Në fazën e parë të projektit, firma zbatuese ka bllokuar segmentin rrugor që lidh xhaminë e E’them Beut me Hotel Tiranën.
Tenderi për Fazën e I-rë të projektit u zhvillua në muajin gusht dhe në të morën pjesë tri kompani, por vetëm njëra prej tyre dha një ofertë monetare, ndërsa dy të tjerat u skualifikuan, pasi nuk kishin dhënë ofertë, duke e bërë tenderin efektivisht pa garë reale.
Sipas formularit të njoftimit të fituesit (kliko këtu për formularin), kompania Fusha sh.p.k e fitoi tenderin duke kërkuar 527 milionë lekë pa TVSH, (rreth 3.8 milionë euro) për këtë projekt. Oferta fituese qe e barabartë me 98.9 për qind të fondit limit prej 533 milionë lekësh.
Projekti për “rikualifikimin” është përgatitur nga studioja arkitekturore 51N4E, e cila e kreu projektin fillestar në vitin 2012, porositur nga ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama. Projekti mbeti i pazbatuar për shkak se në vitin 2011, drejtimi i Bashkisë Tiranë ndryshoi dhe administrata e re e drejtuar nga Lulzim Basha, e hodhi poshtë projektin, duke dizenjuar sheshin siç është aktualisht. Projekti fillestar parashikon edhe ndërtimin e disa kullave përreth sheshit, ndërsa vetë sheshi parashikohet se do të bëhet një hapësirë e mbyllur për makinat dhe në përdorim të vetëm këmbësorëve.
Faza e parë e projektit parashikon ndryshime në një kuadër nga statuja e Skënderbeut te pjesa pas Hotel Tiranës. Sipas procedurës së tenderimit, punimet duhet të zgjasin 12 muaj dhe sheshi i rinovuar duhet të jetë gati në verën e vitit të ardhshëm.
Qeveria aktuale ka ndërmarrë një numër të madh projektesh rinovuese të shesheve të qyteteve të njohur si “Rilindja Urbane”, projekte që shpesh janë shoqëruar me debate mbi vlefshmërinë dhe shpenzimet e tepërta në një kohë kur shumica dërrmuese e projekteve janë vënë në zbatim pa procedura të konsultimit publik.

Interesat e betonit dhe korrupsioni, kaos dhe trafik skandaloz në Tiranë

Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, reagoi pas situatës alarmante të krijuar nga trafiku, këtë pasdite në qendër të kryeqytetit. Ai deklaroi se abuzimet e Veliajt me fondet publike, ngutja për të investuar nga një kompani e cila ka fituar pa garë të drejtën për të ndërhyrë në qendrën e Tiranës, shkaktuan kaosin pranë Sheshit Skënderbej. “Për fat të keq, Erjon Veliaj i tradhtoi sërish qytetarët e Tiranës, dhe besimin që i dhanë. I urdhëruar nga Kryeministri i vendit, tutori i tij politik, i cili njëkohësisht është kryetari de facto i bashkisë së Tiranës, nisi planet ogurzeza për sheshin Skënderbej, që tashmë po vihen në zbatim. 4 milionë euro do ti kushtojë shqiptarëve ky trill i Edi Ramës dhe ndërkohë që trojet publike do të grabiten si sipër ashtu edhe nën sipërfaqen e tokës. Eshtë e ditur që do të kemi ndërtimin e kullave, ndërtimin e parkimit nëntokësor që do ti shërbejë vetëm interesave të pushtetit dhe 4 milionë euro para publike i janë dhënë një kompanie pothuajse pa garë. Nuk  mund të shkojë më keq se kaq. Mafia e betonit me ngut nisi punimet, duke shkaktuar sot një kolaps të jashtëzakonshëm. Në fund të fundit ç’lidhje kanë të drejtat dhe detyrimiet që ka Erjon Veliaj dhe Kryeministri Rama ndaj qytetarëve”, tha Olli.