Skema e blerjes së votave në Dibër

Emisioni investigativ “STOP” denoncoi mbrëmë blerjen e votës në Dibër. Në shkëmbim  të votës jepet ndihmë ekonomike për 485 persona më shumë se muaji i kaluar në Maqellarë. Rreth 8 mijë zgjedhës shkojnë këtë të dielë në kutitë e votimit për kryetarin e bashkisë në Peshkopi. Emisioni Stop ka sjellë disa nga premtimet elektorale të kandidatëve, ndërsa siguron dokumenta ekskluzive edhe për një fenomen kompromentues. Një nga premtimet e cituara nga kandidati i majtë, Muharrem Rama ishte dhënia e ndihmës ekonomike sipas meritës. “Ndihma eknomike do shkojë tek ato fmailje që e meritojnë” ëhstë shprehur ai. Vetëm pas shkarkimit të ish kryebashkiakut Shukri Xhelili më 13 maj dhe vetëm në Maqellarë, në listën e ndihmës ekonomike janë shtuar në total 485 familje. Në muajin mars, periudhë kur kryetar i bashkisë ka qenë Shukri Xhelili, numri total i familjeve që kanë marrë ndihmë ekonomike vetëm për zonën e Maqellarës 1075 familje. Por në muaj në vijim, e konkretisht  në gusht, lista e personave me ndihmë ekonomike është shtuar me 485 fmailje plus, çka dëshmon për përpjekjet e Ramës për të vjedhur me çdo kusht votat e dibranëve. Pak ditë më parë, një grup i strukturuar kriminal është denoncuar nga Partia Demokratike si organizator të një skeme të mirëfilltë për blerjen e votave për zgjedhjet për kryebashkiak në Dibër. PD dorëzoi edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Renda për një grup të strukturuar kriminal i cili blen vota dhe kanosin votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama. Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi 10 ditësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër. Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë mendjeherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë këta kriminelë të votës së lirë, të veshur me pushtet nga Edi Rama dhe lidhjet e tij kriminale.

Vjedhje edhe përmes tenderave

Të dielën e kësaj jave zhvillohen zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Dibrës, ndërsa stafi ekzistues po kontrakton me shpejtësi fondet që njësia vendore ka në dispozicion për këtë vit. Vetëm në buletinin e djeshëm të Prokurimeve Publik u shpallën me dhjetëra njoftime për fituesit dhe lidhjen e kontratave për nisjen e punimeve. Dy ditë më parë u shpall fitues për kanalizimet e ujërave të zeza përgjatë përroit të Tominit, kompania “DODA NDERTIM” shpk, Peshkopi me fond limit 3,2 milionë lekë. Gjithashtu dje kompania “SELAMI” Shpk me aktivitet në Peshkopi u shpall fituese për sistemin dhe asfaltimin e rrugës Borde –Peshkopi me një vlerë  65 milionë lekë megjithë TVSH. Burimi i financimit për këtë rrugë është buxheti i shtetit dhe Bashkia e Dibrës. Bashkia e Dibrës hapi tenderin për shërbim, përmirësim i infrastrukturës Vendore, Aksesit, Lëvizshmërisë dhe Rivitalizim i Hapësirave Publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës me vlerë 1 milion lekë. kompania “EGLAND” u shpall fituese për punime për rrethim dhe shtesë për depon e ujit në Shkollën Karmën “Myslim Shehu”, me vlerë 833 mijë lekë. Po dje, Bashkia e Dibrës ka përfshirë në procedura prokurimi me vlerë 10 milionë lekë mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit. Në fund të muajit që shkoi u hap tenderi për sistemim i përroit të Llixhave, Segmenti Ura e Pazarit-Lixha dhe Rikualifikimi Urban i Zonës” me vlerë 3.3 milionë lekë pa TVSH-në. U fut në fund të muajit që shkoi në procedura prokurimi “Shërbim Projekt zbatim i objektit Rikonstruksion i Rrugës Kryesore –ish-NBSH deri ish-SMT” me vlerë 5 milionë lekë. Dy muajt e fundit prokurimet e fondeve publike për Bashkinë e Dibrës janë shumëfishuar në krahasim me njësitë e tjera vendore që kanë të njëjtën madhësi.

A.Shahini