Shqipëria e frikshme

Alvaro Morata autor i një tregolëshi në fitoren e thellë 8-0 të Spanjës ndaj Lihtenshtejnit përveç Italisë sheh Shqipërinë si problemin më të madh të “La Rojas” drejt kualifikimit në “Rusi 2018”. Sulmuesi i Realit të Madridit beson se, ndeshjet vendimtare për objektivat e përfaqësueses iberike do të luhen në transfertë me Italinë dhe Shqipërinë.
“Duam t’i mbyllim këto kualifikuese në vendin e parë, por nuk do të jetë e lehtë. Takimet më të vështira që mund të vendosin shumë përsa i përket renditjes përfundimtare do t’i luajmë në Itali dhe Shqipëri. Në këto dy transferta duhet të fitojmë me çdo kusht”, u shpreh Morata.
Pikërisht muajin e ardhshëm para se të përballet me kuqezinjtë, Morata do të rikthehet në Torino për sfidën me Italinë ku do të ritakojë nga disa nga ish-shokët e skuadrës te Juventusi. “U gëzova pa masë kur mësova se Gorgio Chiellini kishte marrë karton të kuq ndaj Izraelit. Ai e di që e dua shumë, më ka ndihmuar dhe më ka dhënë këshilla kur luaja me Juventusin, por kaviljet e mia do të më përgëzojnë për këtë që po them”, tha ai.
23-vjeçari, i cili u rible nga Reali i Madridit për 30 milionë euro, duhet të luftojë fort për të patur hapësira në formacion. Me rikthimin e Cristiano Ronaldos dhe Benzemas, sulmuesi spanjoll shpreson që Zidane të aplikojë rotacionin, duke ulur në stol një nga yjet e tredhëmbëshit sulmues.
“Në të gjitha skuadrat më të mira në botë, konkurrenca për të luajtur është shumë e madhe. Ëndrra ime është të fitoj trofe në Madridt. Nuk do të mendoja se nuk do të kishte vend për mua, do të kisha ikur në një ekip tjetër. Ronaldo, Bale dhe Benzema janë tre ndër futbollistët më të mirë në botë, por unë dua t’ia bëj të vështirë jetën trajnerit Zidane. Sezoni është i gjatë do të ketë dëmtime, pezullime, edhe pse shpresoj të ndodhin sa më pak. Shpresoj gjithashtu që Zidane të bëjë shpesh rotacion, sepse do të ishte më mirë për të gjithë”, përfundoi Morata.
Shqipëria magjeps mediat ndërkombëtare. Edhe pse vetëm në 14 minuta lojë, kur barazimi ndaj Maqedonisë dukej i pakthyeshëm, me ndeshjen që u ndërpre prej kushteve të papërshtatshme atmosferike, në fund kuqezinjtë triumfuan, me rrjetën e Bekim Balaj-t. Suksesi 2-1 nuk kaloi në heshtje në mediat ndërkombëtare. Përkundrazi bëri bujë, edhe sepse Spanja dhe Italia janë të interesuarit direkt, si rivalë të Kombëtares në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018.
“Shqipëria, çfarë fitore!”. Ky ishte titulli i “Corriere della Sera”, që theksonte se kuqezinjtë ngjiten në krye të grupit përkrah Spanjës dhe Italisë. Në të njëjtën gjatësi vale edhe prestigjozia “La Gazzetta dello Sport”, sipas të cilës, “Shqipëria luajti 14 minuta për një gol”, ndërsa “De Biassi arrin të mbajë hapin e Italisë”.
Fitorja e Kombëtares u pasqyrua edhe nga “Sportmediaset” dhe “SkySport” në edicionin italian, që theksonin se Shqipëria e kaloi Maqedoninë në minutën e 90-të.
Në Spanjë, suksesi i kuqezinjve u vlerësua nga “AS”, që theksonte se Shqipëria arriti të fitonte ndeshjen e shtyrë, ndërsa për gazetën “Marca” suksesi i Kombëtares kuqezi erdhi në sekondën e fundit.
BBC nënvijëzonte se tri pikët e para të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018 erdhën pas shtyrjes prej 15 orë të ndeshjes, ndërsa triumfi i skuadrës së De Biassit nuk kaloi pa u vënë re edhe në Gjermani, në kolonat e prestigjozes “Bild”.