Radhë të gjata dhe mungesë librash në Tiranë dhe rrethe

Radhë të gjata për blerjen e librave të rinj për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm. Shitja e librave duhet të niste që më 25 gusht, por edhe pse jemi vetëm 5 ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, procesi ka probleme të shumta. Shitja e librave shkollor u shoqërua me radhë të gjata dhe orë të tëra pritje për prindërit dhe nxënësit. Kjo situatë kaotike është në pikat e tregtimit në kryeqytet si dhe në të gjitha qytetet e vendit.
Shpërndarja ka nisur pas një shtyrje një javore, por përveç radhëve të gjata nxënësit kanë mangësi në tekste. Një prind thotë se, “nuk më pëlqen fare kjo shpërndarje. Vendi që kanë zgjedhur nuk është i përshtatshëm, plus që duhet të vij dhe dy tre herë të tjera, pasi mungojnë disa tekste shkollore”.
Prindërit ngritën si shqetësim edhe shitjen e teksteve në ambjente të tilla dhe jo në shkolla ku mund të orientohen më lehtë. “Organizim i dobët si çdo vit. Punë shqiptarësh”, thotë një prind tjetër në kryeqytet.
Në të gjitha pikat e shitjeve të librave sheh prindër dhe fëmijët e tyre që duan të blejnë, gjimnazistë që pyesin dhe largohen. Sot, të blesh një libër shkolle duhet ta llogarisësh mirë: brenda javës, edhe mund të mbarosh punë. Me orë të tëra në shi e në vapë për librat e fëmijëve, prindërit nuk e dinë nëse do arrijnë që brenda datës 13 shtator, t’u plotësojnë librat që u nevojiten fëmijëve të tyre.
Situata vijon të jetë kaotike, mungojnë shumë nga tekstet. Pajisja e nxënësve me libra duhet të bëhet para nisjes së procesit mësimor, por në libraritë e kryeqytetit mungon edhe Abetarja e klasës së parë.
Çmimi i librave kushton 2% më shumë, pasi është bërë indeksimi. Çmimi i librave për klasën e parë është rreth 2300 lekë. Përpos harxhimit të kohës në radhë, prindërve do u duhet të shkojnë dy ose më shumë herë në një librari, pasi mungojnë disa tituj, të cilëve u mungon holograma apo pulla e Ministrisë së Arsimit.
Prindërit shprehen se mungesa të theksuara në treg ka për Abetare, Matematikë dhe në tërësi të lëndëve shkencore. Për këtë situatë të krijuar, Shtëpitë Botuese thonë se nuk janë të pajisur me pullën përkatëse dhe se deri më tani janë shpërndarë botimet e një viti më parë. Burime të Ministrisë së Arsimit thanë se pullat do të shpërndahen dhe se nuk do të ketë vonesa në shitjen e teksteve mësimore.
Radhët e gjata për blerjen e librave vijojnë edhe në qytetet e tjera të vendit. Në Fier, prindërit ankohen se mungojnë gjysmat e librave për shkollën 9-vjeçare sidomos për klasat e teta. Radhët e gjata pranë librarive të qytetit të Shkodrës vazhdojnë të jenë një shqetësim serioz për qytetarët. Këto të fundit presin në radhë, duke qëndruar edhe në shi pas prishjes së motit, për t’u pajisur me libra për fëmijët e tyre. Qytetarët shprehen të acaruar për këtë situatë kaotike që po ndodh prej ditësh pranë librarive. Ata kërkojnë që librat të shpërndahen pranë shkollave përkatëse, ashtu siç është vepruar më parë.
Për ditë me radhë qytetarët presin me orë të tëra, ndërsa ky problem akoma nuk po merr një zgjidhje nga institucionet përgjegjëse. Kur duhen edhe pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, pjesa më e madhe e nxënësve vuajnë mungesën e librave dhe nuk dihet se si do të fillojnë vitin e ri shkollor, që ndryshe nga vitet e kaluara këtë sezon po përballet me shumë probleme në pajisjen e librave për nxënësit.