Maturantja me mesatare 9.7 përlotet: Nuk kam kapur asnjë degë!

Në sqarimin e saj përballë maturantëve, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u përball me disa nga shqetësimet e maturantëve, të cilët janë penalizuar nga raundi i parë i fituesve në universitete. Një nga maturantet që ishte sot përballë ministres i tha kësaj të fundit se nuk e kuptonte se si me mesatare 9.7, nuk arriti të kapte asnjë degë në universitet, ndërsa të tjerë me mesatare më të ulët kanë kapur çfarë kanë dashur. Ndërkohë që maturantja fliste, ajo u përlot, por ministrja i ndërpret fjalën dhe udhëzon të ndjekë udhëzimet dhe e sqaron se është faji i përzgjedhjes së lëndëve me zgjedhje që rezultoi pa fituar asnjë lëndë. Nga ana tjetër një maturant, më i miri i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” i bëri një llogari të thjeshtë ministres, e cila nuk nguroi ta hidhte poshtë, ndonëse maturanti kishte të drejtë.

Qeveria mashtron maturantët me fazën e dytë

Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj sqaron se edhe faza e dytë e përzgjedhjes së fituesve për të ndjekur studimet e larta në universitetet publike është një mashtrim i qeverisë ndaj maturantëve. Ai u bën thirrje maturantëve të mos mashtrohen, ndërsa thekson se faza e dytë është njësoj si e para. “Nëqoftëse ju u shpallët humbës në fazë të parë për shkak se fitues dolën vetëm ata me të gjitha 10, që dhe rastësisht kishin zgjedhur lëndën me zgjedhje që përputhej me fakultetin që dëshironin, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në fazat pasardhëse. Në të dytën do të dalin kudo fitues ata me 9.9, në të tretën ata me 9.8 e kështu me radhë…derisa juve t’ju soset durimi dhe të vendosni të shkoni tek privati. Në këtë mënyrë dhe ju marrin paratë për bizneset e tyre me universitetet private dhe krijojnë vende bosh në publik për të sistemuar ata katranjosët që shullehen çdo vit në kampet politike verore të Jales”, thekson Topollaj.