Destinacioni i ri i teatrit në një magazinë birre në periferi

Shkatërrimi i Teatrit

Arben Skënderi

Plani ogurzi i Edi Ramës nisur që një dekadë e gjysmë më parë u zyrtarizua publikisht me të gjithë përbërësit e tij, duke filluar me një mashtrim dhe deformim të historisë së TKOB-së me përcaktimin si vit i 60-vjetorit të krijimit në një kohë që çfaqja e parë operistike daton më 27 nëntor të vitit 1953 me Operën “Rusalka» në skenën Teatrit Kombëtar.
Por dhe pak ditë, sepse ky tempull i teatrit shqiptar së bashku me TKOB-në janë pjesë e skenarit të mafies së betonit, e cila sot jo vetëm me Edi Ramën në krye, por dhe me mbështetjen e Erion Velisë do të nisin shkatërrimin e këtij monumenti kulture që në çdo vend të Europës së civilizuar do t’i ishte nënshtruar një proçesi restaurimi e kurrë se si zëvendësimit me një tjetër sallë betoni të përfshirë në katin e parë të ndonjë kulle shumëkateshe si të ishte ambient i rëndomtë supermarketi (dhe kjo në rastin më të mirë).
Në botën e civilizuar të artit dhe në vende si Franca, të cilës i referohet kryeministri, teatrot kombëtarë janë qindra vjeçarë,  restaurohen vazhdimish, ruhen e mirëmbahen si vlera kombëtare.
Nuk jemi kundër skenave dhe hapësirave alternative apo eksperimentale, ato janë të nevojshme, por nëse ato na serviren si zgjidhja e vetme në kurriz të çka kemi ndërtuar me mund dhe që është pjesë e identitetit të artit tonë të kultivuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me mediokritet dhe klientelizëm, dhe aspak me dhembshuri për kulturën kombëtare apo për gjendjen e artit në vend.
Asnjë projekt nuk diskutohet paraprakisht as me artistët as me specialistët e fushave, por si ditën e sotme artistët dhe njërëzit e kulturës përdoren sa për dekor e me detyrim në spektaklin e Ramës me lista të mirë përzgjedhura si në kohën e partisë së punës.
Po zhvishen artistët nga kontributet, po zhvishen institucuonet nga historiku i tyre, po bëhet larje truri me prapagandë në të gjitha nivelet për të krijuar alibitë e nevojshme për shkatërrimet që kanë nisur. Dhe gjithë kjo, sepse Edi Rama e ka ende të freskët periudhën kur e nisi këtë shkatërrim e i kujtohet mirë që artistët e bllokuan atëherë e do ta bllokojnë dhe sot.
Pikërisht frika që ai ka nga kjo shtresë e shoqërisë në të cilën asnjë herë nuk bëri dot pjesë, as këtu e as andej nga u sorrollat disa vite duke bërë zhgarravina për turistë, tani po i kthehet në ankth dhe ai e di mirë që nuk ka për ta shkatërruar dot.
Faktet tregojnë se që ditët e para të marrjes së pushtetit është marrë personalisht me artistët e njerëzit e kulturës, duke i përçarë, duke i zhvlerësuar, duke i katandisur deri për bukën e gojës pjesën dërrmuese të tyre, që nga uljet e rrogave e deri te terrori nëpër intitucione jo vetëm nga komplekset e rënda që ka, por sepse «revanshi» i tij me mafien e betonit nga mbrapa është e vetmja rrugë që ai ka zgjedhur për të sunduar e për të fabrikuar historinë e tij të dështuar.
Dhe sot, si një dekadë e gjysëm më parë me të njëjtët njerëz, për të njëjtin qëllim, po përdor të njëjtat metoda…!
Sot, Edi Rama ka folur sërisht për tulla e llaç, por asnjë fjalë për artin e artistët, asgjë për problemet thelbësore që kanë ata në të përditeshmen e tyre, asgjë për krijimtarinë kombëtare, asgjë për reformat e trumpetuara, asgjë për ndonjë plan strategjik zhvillimi, asgjë për çka do të ndodhi me trupat si të TKOB-së ashtu dhe Teatrit Kombëtar.
Si do të munden të zhvillojnë aktivitetin e tyre në ambiente alternative, kur as për sy e faqe mendimi i tyre nuk është konsultuar në asnjë moment dhe realisht asgjë të parashikuar në këtë drejtim nuk ka.
As partia e punës së sistemit komunist nuk guxonte të mos merrte mendimin dhe ekspertizën e njerëzve më me autoritet të fushave. Nuk guxonte të vepronte pa mendimin e Çesk Zadesë, Feim Ibraimit, Nikolla Zoraqit, Avni Mulës, Tish Daisë e shumë të tjerëve që krijuan këtë traditë, me të cilën ne krenohemi, e që vetë Edi Rama rend për ta keq përdorur për PR-in e tij sa herë që i jepet mundësia.
Është e pa pranueshme që sot pas dy dakadash demokraci një ikonë e teatrit shqiptar si Robert Ndrenika të ndihej i dëshpëruar deri në pikën e vetëflijimit për të mbrojtur teatrin përballë babëzisë dhe pabesisë së pushtetit.
Të tillë ndihen shumë e shumë artistë, që kjo qeveri i ka lënë pa zë e i ka shtypur me të gjitha format, por kujdes Edi Rama se ti e di që nuk luhet me ta, ti jua ke frikën dhe ata do të ta kthejnë reston…