Rama do të shembë teatrin për të ngritur një tjetër kullë

Nga Andy Warhol

Teoria e shpikur e Parneritet Publik Privat është perfekte për të përvetësuar pronën shtetërore nga privatët, me preteksin se shteti s’paguan asnjë lek. Atëherë shtrohet një pyetje: Ç’e duam shtetin, dhe pse nuk japim Kryeministrinë me PPP, meqë ajo harxhon shumë më tepër se të gjithë institucionet kulturore dhe sportive të marra së bashku?
Rama ka dashur me kohë që ta prishë Teatrin Kombëtar. Unë asokohe, kur ai ishte ministër Kulture, duke besuar tek piktori, (por duke mos e menduar që ‘Pikaso’ mund të bëhej dhe kryeministër një ditë), e quaja inovative idenë e tij.
Por tani që skema e Ramës është kuptuar, druaj se pas stadiumit ‘Qemal Stafa” e ka radhën Teatri Kombëtar.
Pse e mendoj kështu:
Së pari, Rama si individualist që është (diçka normale kjo tek piktorët) i urren artet kolektive. Pothuaj asnjëherë s’ka qenë në Teatrin Kombëtar, para se të bëhej Kryeministër dhe vetëm një herë, pasi u bë (dhe atëherë shfaqja ishte private). Pra, Rama nuk e honeps teatrin, ndonëse e ka institucion në varësi.
Ndërkohë teatri është vendi ku takohen pothuaj të gjithë profesionet. Aktori, regjizori, skenografi, piktori, mekaniku, muzika, grimi, kostumet, drita, etj., etj. Pra teatri, përveç se ta bësh, kushton dhe ta mbash.
Prandaj në Evropë anglezët janë 50 vite përpara pjesës tjetër. Sepse bëjnë forma arti kolektive ku të gjithë artistët zhvillohen.
Prandaj s’ka artistë shqiptarë të famshëm në Angli, por janë mbledhur të gjithë në Francë. Sepse anglezët kanë marketing dhe kolektivitet në art. Ndryshe nuk do zhvillohej teatri anglez, muzika angleze, musical, filmi, dokumentari, cirku, etj., etj.
Së dyti, hapësira ku është Teatri Kombëtar është ndër më të shtrenjtat, është në qendër të Tiranës dhe ka hyrje-dalje nga të gjitha krahët. Çdokush që do kishte mundësi të ndërtonte atje një kullë, do ishte me fat.
Po cila është formula për publikun?
Kur mori detyrën, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, organizoi një takim për të “njohur” hallet e komunitetit artistik të Teatrit Kombëtar. Në të vërtetë ky takim iu desh Kumbaros që të maste pulsin se kë kishte përballë.
Aty ajo kuptoi që shumica e aktorëve që dikur kundërshtonin prishjen e Teatrit Kombëtar kishin vdekur, kurse pjesa tjetër e ka hallin të marrë një rrogë (se ku dhe si nuk ka rëndësi). Artistët e vjetër që kanë ngelur gjallë janë shenjtëruar dhe nuk bëjnë ‘as gëk as mëk’.
Arti në Shqipëri funksionon akoma i varur 100% nga shteti. Artistët janë të paorganizuar dhe janë vënë në radhë për t’u shfrytëzuar politikisht.
Mjafton të shikoni në arkiva reagimet e disa artistëve për ‘21 Janarin’; apo dhe shpërdorime të ngjashme, për të kuptuar se në çfarë derexheje janë katandisur artistët në këtë vend.
Sot është hedhur ideja e një salle të re që është e rrethuar nga pallate (salla e maketeve të Institutit të Ujërave), pra, ku me ligje urbanistike nuk bën dot sallë shfaqjesh, sepse krijon zhurma. Kjo sallë nuk ka asnjë lloj parametri izolues, akustik, nuk ka lartësi për skenë teatri (minimalisht duhen të paktën 20 m), s’ka hyrje dalje trafiku, etj., etj.
Maksimumi ajo sallë mund të vlejë për ekspozita. Prandaj në emërtim, me stil kanë krijuar idenë e sallës “multifunksionale”, por që në të vërtetë duhet t’i lësh banorët pa gjumë nëse bën një shfaqje mirëfilli.
Në këtë sallë që planifikohet të kushtojë rreth 2 milionë dollarë do ngjeshen artistët e teatrit dhe alternativat ‘moderne’ shqiptare.
Teatri Kombëtar do prishet dhe artistëve do u premtohet një teater më modern ku ata do luajnë pjesët e tyre.
Përveç disa kokrrave, askush nga aktorët apo regjizorët s’do ta kundërshtojë, sepse, siç thashë më lart, ata kanë nevojë vetëm për një rrogë. Asgjë më tepër.
Kush është i vëmendshëm, në projektin e stadiumit të ri vuri re një detaj. S’kishte asnjë lloj informacioni apo të dhëne se çfarë ka brenda, përveç fushës. Pra, çfarë hapësirash të tjera do ketë, çfarë dimensioni, lloji i shfrytëzimit etj. Kjo jo pa qëllim, sepse gjatë rrugës mund të ndryshohen.
Realisht nuk do bëhet teatër.
Të ndërtosh një teatër të ri, së pari, ka nevojë për një studim fizibiliteti. Së pari, kostoja e ndërtimit, në raport me numrin e publikut, koston e biletës, nivelin e cilësisë së teatrit dhe koston e mirëmbajtjes.
Sepse një teatër i ri, përveç se kushton të paktën 25 milionë euro, duke qenë se do jetë i ri, ka kosto mirëmbajtje të paktën 10.000 euro në muaj. Ndërkohë që bileta më e shtrenjtë e teatrit është 3 euro personi dhe ato i merr Ministria e Financave.
Pa një mbështjete financiare prej të paktën 250.000 euro në vit, një teatër i tillë nuk mund të funksionojë. Jo më të dalë me fitim. Këtë shumë, Rama mund t’ia japë Anri Salës, por jo Teatrit Kombëtar.
Kryeministri me gjasë do dalë si gjithmonë me preteksin që “shteti s’paguan asnjë lek”, do i japë tokën të preferuarit të tij dhe në kullën që do ndërtohet, do ketë dhe një sallë konferencash, ku ndër të tjera mund të bëhet dhe teatër. Sigurisht, nëse ka leverdi.
Ndërkohë artistët e teatrit mund të vazhdojnë të ngjeshen në Sallën e Ujërave tek Liqeni. Nuk meritojnë më tepër kur e mendon.

*Shënim: Autori ka shkruar me pseudonim; për shkak se i druhet vendit të punës nëse ekspozohet