Ballina Sport Mediat ndërkombëtare, elozhe për Kosovën

Mediat ndërkombëtare, elozhe për Kosovën

Një barazim historik në ndeshjen e parë zyrtare në një fushatë kualifikuese. Kosova e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e saj në futbollin e vërtetë aty ku çdo gjë matet me rezultate, pasi barazoi 1-1 në transfertën e “Veritas Stadion” në Turku, përballë Finlandës vendase, duke marrë pikën e parë në grupin I, kualifikues të Botërorit Rusi 2018. Një barazim i merituar që ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë përfaqësueses më të re të Europës. Përveç se u largua nga Finlanda me një rezultat pozitiv, Kosova bindi edhe me lojë, duke treguar realisht se është një skuadër për t’u patur frikë nga çdo kundërshtar.
Valon Berisha i jep pikën e parë Kosovës vetëm pak orë, pasi mori lejen nga FIFA për të zbritur në fushë me vendin e tij të origjinës, shkruan rrjeti i madh mediatik britanik BBC, në seksionin e saj dedikuar sportit. “Gazzetta Dello Sport” e përditshmja më e madhe italiane gjithashtu i kushtuar rëndësi ndeshjes së parë zyrtare të Kosovës, teksa shkruan: Kosova pika e parë historike. Mjaft i bukur titulli i gazetës zvicerane “Blick” dedikuar Kosovës. “Valoni i artë”, Berisha shënon një gol historik, shkruan “Blick”. Anglezja “The Guardian”, gjithashtu i ka kushtuar një hapësirë të veçantë, barazimit të Kosovës ndaj Finlandës, ndërkohë që “Yahoo Sports” hapej me këtë titull: Berisha shënon, Kosova merr pikën e parë në ndeshjen e parë kualifikuese.

Exit mobile version