Ballina Aktualitet Kishin ardhur për të parë ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, vdesin dy tifozë

Kishin ardhur për të parë ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, vdesin dy tifozë

Dy shtetas nga Kosova, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të parë ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, kanë humbur jetën. Burime policore bëjnë me dije se tifozi i parë humbi jetën pas një infarkti në zemër, ndërsa i dyti në një aksident në Kukës, gjatë një përplasje me motor. Burime policore bënë me dije se, Kadri Shkrela, 65 vjeç, i cili kishte ardhur si tifoz nga Kosova për të ndjekur ndeshjen që u luajt në Shkodër, humbi jetën mbrëmjen e djeshme pas një problemi shëndetësor. Sipas policisë, Shkrela ishte larguar pas ndeshjes me familjarët e tij, por kishte shfaqur probleme me zemrën gjatë rrugës. Ndonëse atij iu dha ndihma mjekësore, 65-vjeçari ndërroi jetë. Ndërkohë, tifozi i dytë që humbi jetën u identifikua Ramiz Isenaj.
Në njoftimin e policisë thuhet se: Më datë 05.09.2016 rreth orës 23:30, jemi njoftuar se në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, ka shkuar i shoqëruar nga familjarët e tij shtetasi kosovar Kadri Skrela, 55 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Menjëherë është nisur grupi hetimor për sqarimin e situatës, ku nga deklarimet e familjarëve ka rezultuar se ky shtetas ka qenë në stadium për të parë ndeshjen e futbollit Shqipëri-Maqedoni në Shkodër, dhe pas ndërprerjes së ndeshjes ky shtetas është larguar me familjarët, ku gjatë rrugës ka pasur probleme (patologji) me zemrën.
Pasi është transportuar për në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, aty ka ndërruar jetë. Nga rezultati paraprak i ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, dhe vdekja dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një infarkti në zemër, pasi ky shtetas para disa kohësh kishte patologji në zemër. Si më sipër ju sqarojmë se si rezultat i deklarimeve të personave që e shoqëronin dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes rezulton se shkaku i vdekjes është për shkak të patologjisë dhe jo nga shkarkesa elektrike, siç është njoftuar në media.
Njëri nga personat që humbi jetën ishte pjesë e grupimit të tifozëve të quajtur “Plisat”, të cilët kanë reaguar nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale. “Me pikëllim e thellë të trishtuar ju njoftojmë se mbrëmë në një aksident të rëndë me motor ne afërsi të Kukësit ka ndërruar jetë anëtari, miku, vllau ynë, Ramiz Isenaj! I ndjeri rrugën për Shqipëri e ka marrë për të parë lojën Shqipëri Maqedoni! Ramizi apo baci ynë do të mbahet mend si një humanist i madh që nuk ka hezituar asnjëherë t’ju dalë në ndihmë njerëzve në nevojë. Së fundi, ai ka qenë para finalizimit në ndërtimin e një shtëpie për një familje të pastrehë. Baci po ashtu e ka përkrah fuqishëm aksionin e Plisave në ndërtimin e shtëpisë për familjen e pastrehë nga fshati Zhegoc që u finalizia vitin e kaluar. Ne shokët e tij do të ruajmë kujtimet më të mira për të si një burrë i fjalës, nderit e besës. Një burrë human, që na ishte shembull si respektohet familja, miqtë e shoqëria! Lusim Zotin që ta bekojë shpirtin e shokut tonë! Lamtumirë mik e qoftë i përjetshëm kujtimi për ty! Po na le me lot në sy, por krenarë që të kishim! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, dheu Shqipërisë mëmë”, thuhet në njoftimin e tifiozëve “Plisat”.

Exit mobile version