Ballina Aktualitet Burg për David Qosen: Nuk doja të vrisja efektivin, më qëlluan të...

Burg për David Qosen: Nuk doja të vrisja efektivin, më qëlluan të parët

Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur dje të lerë në burg David Qosen. 30-vjeçari, të premten e kaluar në Torovicë të Lezhës qëlloi për vdekje oficerin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Ardian Kodrën. Në seancën zhvilluar me dyer të mbyllura Qosja, në gjendje të rënduar psikologjike ka sqaruar se nuk kishte qëllim të vriste policin, por kishte qëlluar pas disa të shtënave që i kishin ardhur nga banesa e fqinjit të tij.
30-vjeçari e mbylli dëshminë e tij, duke thënë se, ai nuk donte që policia të hynte në shtëpinë e tij.  Prokurori i çështjes Blerim Tominja i ka kërkuar togave të zeza lënien në burg të Qoses, për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Pretendimet se ai ka probleme mendore priten të verifikohen nga mjekët.
Ndërsa avokatja kërkoi që krimi të kategorizohet si vrasje nga pakujdesia. Sipas saj, autori ka nisur të qëllojë përpara se policia të mbërrije në Torovicë. Të premten në Torovicë, Policia e Shtetit zhvilloi një betejë në banesën e Qoses. 86 gëzhoja janë sekuestruar nga hetuesit në vendin e ngjarjes si provë materiale. Ndërsa dyshohet se autori ka qëlluar me dy armë nga një kallashnikov dhe nga një çifte.
Në seancën për vlerësimin e masës, ai ka thënë: “Nuk kisha qëllim të vrisja policin, doja që efektivët të mos hynin në banesë. Qëllova, pasi në fillim u gjuajt drej banesës sime nga shtëpia e fqinjit”.

Exit mobile version