UEFA: 2015 uli humbjet për klubet europiane

Europa e futbollit duket se ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. Skuadrat e kontinentit të vjetër duket se i kanë mbajtur deri në detaje leksionet financiare, pasi gjatë viteve të fundit kanë arritur të ulin ndjeshëm shpenzimet, kjo edhe falë fair play financiar të vendosur nga UEFA. Këtë e shpjegon mjaft mirë raporti i vitit 2015 të instucionit më të lartë të futbollit europian. Në vitin 2010, klubet kishin një defiçit që në total kapte vlerën e 1.6 mld euro, një shumë që i kishte adresuar shumë klube drejt falimentimit.
Por 5 vjet më vonë, bilanci edhe pse mbetet negativ, është reduktuar në 323 milionë dhe nëse llogaritet fakti që në analizë janë marrë skuadrat e 54 vendeve me 700 klube në total, kjo është një shifër pothuajse e papërfillshme. Në total, të ardhurat më të mëdha për klubet i kanë siguruar të drejtat televizive, shitja e fanelave dhe sponsorët e ndryshëm. Sipas statistikave, 25 vende kanë arritur  madje të arkëtojnë më shumë se sa kanë shpenzuar, ndërsa në 29 vende të tjera, e mbyllën vitin 2015 me humbje. 14 është numri i klubeve që mbeten nën monitorimin e UEFA-s ku listën e kryeson Galatasaray, pasi situata në klubin turk nuk është ideale dhe për këtë shkak janë përjashtuar nga evenimentet europiane. Moment kaotik po kalon edhe CSKA Sofia në prag falimentimi. Në krahun tjetër, klubet me arkëtimet më të mëdha janë Real Madrid, Barcelona, Manchester United, Paris Saint Germain dhe Bayern Munchen.