Tek Interi nis java e rinovimeve

Pas merkatos tek Interi nis java e rinovimeve. Shtatë ditët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për zikaltërit, pasi drejtuesit e klubit po përgatiten për rinovimin e kontratave të disa futbollistëve që janë në prag skadence. Presidenti Erick Thohir do të zbarkojë në Milano gjatë këtyre ditëve për të biseduar me futbollistët dhe menaxherët e tyre në lidhje me kushtet e kontratës. Në axhendën e takimeve të aziatikut janë të përfshirë emra si Mauro Icardi, i cili do të qëndroj veshur zikaltër deri në vitin 2021, gjithashtu nga marrëveshja e re, sulmuesi do të përfitojë 5 milionë euro në sezon.
Marcelo Brozoviç, i cili u përfol shumë gjatë merkatos se do të largohej nga radhët e Interit, për shkak të fair-play-t financiar gjithashtu do të ketë një rinovim të pagës. Kroati do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon. Pjesë e listës është edhe mesfushori Gary Medel. Palët kanë nisur bisedimet dhe akordi me kilianin është vetëm një hap larg. I pranishëm këto ditë në ambjentet e qendrës stërvitore të Interit, Apiano Gentille, do të jetë dhe pronari i ri i klubit zikaltër Jindong Zhang, i cili do të zhvillojë një bisedë më të gjithë futbollistët e ekipit. Rinovimet do të finalizohen përpara datës 18 shtator.
Masimo Morati nuk do ta ketë pasur shumë të lehtë që ta thotë atë fjalë, por duke qenë se tashmë është shndërruar thjesht në një tifoz, ish-presidenti zikaltër duket i dorëzuar: “Sivjet, titulli për Juventusin do të jetë thjesht një shëtitje”. Një frazë e rëndë për një person që për 18 vite me radhë ka investuar fuqishëm dhe ka bërë beteja të ashpra kundër “Zonjës së Vjetër”.
Gjithsesi, tani që aksionet e tij në klub janë zero, emocionalisht ai është ftohur disi dhe në këtë mënyrë arsyeton në mënyrë më të qartë, të paktën, duke kuptuar edhe analizën e tij të këtij fillimsezoni.
“Interi sivjet ka investuar mjaft mirë dhe kinezët po tregojnë se do të bëjnë gjëra serioze në skuadër. Por fakt është që largimi i Roberto Mançini dhe zëvendësimi i tij me Frank De Burin erdhi në një moment të keq, vetëm pak ditë përpara fillimit të kampionatit. Kjo nuk është diçka e vogël. Pse u largua Manço? Unë mund të them vetëm që ajo ishte një lamtumirë e paralajmëruar prej kohësh, por vendimi i marrë prej Robertos dhe pa dyshim edhe drejtuesve të klubit erdhi shumë vonë. Gjërat mes palëve u komplikuan disi dhe papritur ndodhi ajo që të gjithë e dimë tashmë”.
Në lidhje me drejtimin dhe të ardhmen e skuadrës, Masimo Morati beson se De Bur meriton kohë, pasi profesionalizmi i tij nuk vihet në diskutim.
“I kam bërë vizitë Interit në ditët e kaluara dhe kam ndjekur edhe stërvitjen. De Bur më ka lënë një ndjesi shumë pozitive, duke treguar profesionalizëm të madh, por në të njëjtën kohë shoh edhe shumë lojtarë që dukeshin mjaft të ngurtë deri disa kohë më parë, që kanë gjetur një formë fizike dhe sidomos psikologjike ideale”, përfundoi Morati.