Hysaj e Celina, mes yjeve të rinj

Dy shqiptarë mes yjeve të rinj dhe që duhen mbajtur nën vëzhgim gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018. Elseid Hysaj, mbrojtësi i djathtë i Kombëtares shqiptare dhe Bersant Celina, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës. Dy lojtarë tejet të rëndësishme në skuadrat ku luajnë, por ajo që është më kryesorja, të dy idhuj të shqiptarëve kudo nëpër botë, për arritjet e jashtëzakonshme sportive, pavarësisht karrierës ende të re.
Hysaj dhe Celina u përfshinë në listën e britanikes “The Guardian”, mes 10 talentëve europianë që pritet të jenë protagonist gjatë këtij edicioni kualifikues. Mbrojtësi 22-vjeçar i Napolit është një prej lojtarëve të rinj më të kuotuar në kontinent. Pas shkëlqimit të sezonit të kaluar në Serinë A, Hysaj nxiti interesin e klubeve më të mëdha europiane, nga Anglia, Spanja dhe Gjermania.
Shkodrani mbetet një prej elementëve kyç të Kombëtares dhe së bashku me pjesën tjetër të kuqezinjve do të kërkojnë t’i japin vazhdimësi përfaqësimit historik të Shqipërisë, në finalet e Kampionatit Europian. Misioni i kuqezinjve drejt Botërorit 2018 nis me ndeshjen e kësaj të hëne në Shkodër ndaj Maqedonisë. Në listën ku të pranishëm janë edhe Marco Asensio i Spanjës, Ousmane Dembélé i Francës, por edhe portieri italian, Gianluigi Donnarumma dhe Breel Embolo i Zvicrës, nuk mund të mungonte një prej yjeve më premtues të kampionatit anglez, Bersant Celina.
I huazuar në këtë sezon nga Manchester City te Twente në Holandë, sulmuesi dhe përfaqësuesja e Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, për debutimin historik në fushën e Finlandës. I lindur në Prizren, por i shpërngulur në Norvegji prej moshës së vogël, Celina zgjodhi të luajë për vendin e tij. Mbetet për t’u parë nëse rezultatet pozitive të Kosovës do të jenë apo jo të menjëhershme, por pavarësisht kësaj 19-vjeçari duhet të tregojë se ka potencialin të shndërrohet në yll dhe mund t’a udhëheqë skuadrën e Albert Bunjakit në kualifikueset e Botërorit 2018.
Ndërkohë, Mërgim Mavraj është padyshim një nga personazhet më të veçantë të përfaqësueses shqiptare të futbollit. Mbrojtësi kuqezi ka zbuluar për “express.de” jetën e tij larg fushave të lojës, ku ka krijuar një miqësi të paparashikuar me një boksier profesionist. Mavraj shoqërohet shpesh me Moris Ueber, boksierin gjerman 35-vjeçar, me të cilin u njoh që dy vite më parë, kur mbërriti në Këln. “Është shumë më i madh se sa mund të mendosh”, shprehet me humor Mavraj për mikun e tij. “Nga boksierët mund të mësosh shumë”, vijon ai. “Pasi ata janë shumë të përqendruar. E përjeton momentin e duelit vetëm pak herë gjatë vitit. Një situatë e tillë mund të krahasohet vetëm me ndeshjen e parë si futbollist profesionist”, tha Mavraj.

Rinovimet te Napoli, Hysaj i pari në listë

Tashmë nuk ka më dyshime, Elseid Hysaj do ta vazhdojë karrierën te Napoli, pasi kontrata e re me terma financiarë të përmirësuar, është gati. Sipas mediave italiane, mbrojtësi shkodran që mbërriti në skuadrën e kaltër një sezon më parë, do të jetë lojtari i parë që do të rinovojë kontratën. Bëhet fjalë për një marrëveshje që do të zgjasë deri në vitin 2021 dhe paga e lojtarit do të përmirësohet ndjeshëm. Paraqitjet e tij gjatë sezonit të shkuar kanë bindur presidentin De Laurentiis të blindojë shqiptarin, i cili fillimisht nënshkroi një kontratë nga e cila përfitonte vetëm 500 mijë euro në sezon.
Sipas burimeve mediatike, me kontratën e re, para e Hysajt trefishohet pasi lojtari kuqezi do të arkëtojë rreth 1.5 milionë euro në sezon. Një detaj tjetër interesant është edhe fakti që Napoli ka këmbëngulur që në kontratë të futet edhe një klauzolë për largimin e mundshëm të Hysajt. Për të mbajtur sa më larg të mëdhenjtë e kontinentit, De Laurentiis kërkon që klauzola të jetë plot 40 milionë euro. Pas rinovimit me Hysajn, shoqëria italiane do të ulet në tryezën e bisedimeve për zgjatjen e kontratës edhe me Koulibaly, Gabbiadini e Ghoulam.