Ballina Sport Dominim në merkato

Dominim në merkato

Juventus mund të konsiderohet fare mirë si skuadra mbretëreshë e merkatos së transferimeve të kësaj vere. Torinezët edhe pse kanë bërë plot 6 blerje të rëndësishme kanë arritur ta mbyllin këtë bilanc në mënyrë pozitive. Bardhezinjtë shpenzuan në total 161.7 milionë euro, 90 nga të cilat shkuan vetëm për Higuain, por arkëtuan 185.2 milionë euro, duke siguruar të ardhura prej 23.5 milionë euro. Tek shitjet e lojtarëeve peshën më të madhe e mbajnë Morata, Zaza dhe Pereyra nga të cilët, Zonja e Vjetër siguroi plot 70 milionë euro.
Shumë aktiv u shfaq edhe Interi, i cili këtë vit nxori nga arkat e tij plot 113.8 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave u shpenzuan për blerjet e Joao Marios, Gabigol e Candreva. Ndërkaq në krahun tjetër, largimet nuk kanë siguruar shumë të ardhura vetëm 10.9 milionë euro, duke bërë që bilanci i merkatos së Interit të jetë -102.9 milionë euro.
Napoli gjatë kësaj vere arkëtoi plot 99.05 milionë euro dhe kjo më shumë falë largimit të Higuain, ndërkohë që shpenzoi 112 milionë euro, nga të cilat 41 milionë i derdhi për blerjet e Maksimoviç e Milik. Bilanci mbyllet negativisht me 12.95 milionë euro
Edhe bilanci i Romës në merkato ka një rezultat negativ me 25.7 milionë euro. Verdhekuqtë shpenzuan 81.1 milionë euro dhe arkëtuan 55.4 milionë euro. Blerja më e shtrenjtë për Romën është ajo e Bruno Peres për 13.5 milionë euro, ndërsa të ardhurat më të mëdha, verdhekuqtë i siguruan nga shitja e Pjaniç, 32 milionë euro.
Milani është skuadra që ka lëvizur më pak në merkaton e kësaj vere. Kuqezinjtë kanë shpenzuar vetëm 25.5 milionë euro dhe kanë arkëtuar 14.5 milionë, duke shënuar një bilanc negativ me 11 milionë euro.
Kohë rinovimesh në Itali, ku Juventusi dhe Lazio synojnë të blindojnë dy nga yjet e skuadrave respektive. Janë kampionët në fuqi që nisin punën për të blinduar sulmuesin argjentinas, Paolo Dybala. Kanë mjaftuar diçka më shumë se 14 muaj që talenti amerikano-latin të bindë drejtuesit bardhezinj se është ai njeriu i duhur për sulmin dhe Juventusi ka gati një kontratë 5-vjeçare për ish-lojtarin e Palermos. Sipas marrëveshjes së re, Dybala do të përfitojë 5 milionë euro në sezon plus bonuset.
Një lëvizje e zgjuar nga ana e Juventusit që synon ta mbajë të lidhur me një kontratë joshëse argjentinasin deri në vitin 2021. Sinjalet e Barcelonës gjatë merkatos së verës ishin shqetësuese për drejtuesit e Juventusit dhe në këtë mënyrë, Dybala e projekton të ardhmen në Torino ku u zhvendos vetëm një sezon më parë pas shpërthimit në Palermo. E njëjta situatë paraqitet edhe për argjentinasin e Lazios, Lucas Biglia, jo pak i ndjekur në merkato. Kapiteni i Lazios do të firmosë një kontratë të re mënjeherë pas pushimit të kombëtareve.
Mesfushori që mori shiritin bardhekaltër vetëm disa muaj më parë, konsiderohet një pikë e palëvizshme për presidencën e klubit kryeqytetas, pavarësisht ofertave joshëse nga disa klube të Serisë A. Kontrata e 30-vjeçarit do të shtyhet deri në vitin 2021 dhe termat financiarë do të ndryshohen dukshëm. Nga 1.5 milionë, Biglia do të arkëtojë rreth 3 milionë euro në sezon, duke u bërë i pari lojtar i erës Lotito që arrin një kufi të tillë.

Exit mobile version