Siguracioni i makinave, përplasje mes AMF dhe kompanive dhe shoqërive

Pothuasje të gjitha shoqëritë e sigurimit edhe gjatë ditës së sotme kanë zbatuar tarifat e reja të ndryshuara në datë 24 gusht 2016 për sigurimin e detyrueshëm motorik të përgjegjësisë ndaj palëve të treta, MTPL që përcaktonin një rritje nga 20% deri në 25% për kategoritë e automjeteve. Drejtuesit e shoqërive të sigurimit argumentuan se nuk do të heqin dorë nga tarifat e reja, pasi sipas tyre, shpenzimet janë rritur, numri i aksidenteve po kështu dhe ndryshimi i taksës në 10% ka dhënë ndikimin e saj. Ata thonë se i kanë dërguar AMF-së argumentimin akrutaristik për tarifat e reja të primit.
Në një reagim zyrtar për “Monitor”, AMF-ja në lidhje me mosreagimin e shoqërive ndaj një shkrese të nisur nga ana e saj, ku kërkohej kthimi te tarifat e vjetra, shprehet: “Ky problem po ndiqet me prioritet nga ana e Autoritetit dhe jemi ne pritje të të dhënave që shoqëritë e sigurimit do të sjellin, për të bërë përllogaritjet tona aktuariale përfundimtare”. Gjatë ditës së sotme, shoqëritë kanë vënë re një ulje në shitjen e primeve për sigurimin MTPL.
Një ditë më parë “Monitor” gjatë një vëzhgimi konstatoi se: “Qytetarët më shumë se sa për rritjen e çmimeve të siguracioneve të makinave janë të shqetësuar për mosfunksionimin e sistemit bonus-malus, i cili siguron çmime të ulta për një “CV” të mirë shoferi. Agjentët e kompanive të sigurimeve pohojnë se edhe Kosova aplikon tarifa sipas bonus –malus, çka do të thotë se sa më i vjetër të jetë shoferi dhe sa më pak aksidente dhe gjoba të ketë, aq më të ulët do të ketë çmimin e siguracionit”.
Aktualisht tregu i sigurimeve po monitorohet edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas së cilit zgjidhja e vetme mbetet zbatimi i menjëhershëm i sistemit Bonus – Malus.
Nga ana tjetër, AMF-ja ka përfunduar zbatimin teknik të sistemit Bonus-Malus. Ky sistem bën të mundur tarifimin me fokus rrezikun në sigurimin motorik. Sipas AMF, aktualisht agjentët e shitjeve të policave të sigurimit mund të kërkojnë të dhëna mbi automjetin dhe pronarin e automjetit nëpërmjet targës dhe numrit të shasisë. Në këtë fazë, përveç të dhënave të mësipërme të automjetit, sistemi gjeneron dhe dërgon edhe të dhëna rreth kategorisë së automjetit sipas informacionit bazuar në Regjistrin Kombëtar të Automjeteve, por agjentët nuk kanë të drejtë t’i ndryshojnë të dhënat duke parandaluar në këtë mënyrë abuzime të ndryshme. Një fazë tjetër,e përfunduar është dhe lidhja në kohë reale nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile duke ofruar numrin personal të pronarit të mjetit si çelës për kërkimin e historikut Bonus-Malus dhe kategorizimin e saktë të pronarëve në nivelet e rrezikut, i cili është në përdorim nga shoqëritë e sigurimit që nga data 3 mars 2015. Mirëpo asnjë nga kompanitë e sigurimeve deri tani nuk i ka udhëzuar agjentët e vet që presin siguracion bazuar në kriteret e bonus-malus.