Ballina Aktualitet OSHEE e shantazhon me vendin e punës për të paguar 800 mijë...

OSHEE e shantazhon me vendin e punës për të paguar 800 mijë lekë

Një qytetar denoncon Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) se e ka shantazhuar me vendin e punës për të paguar një faturë abuzive. Bektash Llangozi nga qyteti i Durrësit me profesion mësues, rrëfen për Boldnews.al peripecitë që ka kaluar me OSHEE dhe presionet e panumërta që i janë bërë atij nga ky institucion.
Kalvari i vuajtjeve nis në vitin 2007, ku punonjësit e OSHEE (në atë kohë OSSH) i vendosin qytetarit Llangozi një seri faturash mujore afrofe. I irrituar dhe me të drejtën e tij, qytetari ankohet disa herë pranë këtij institucioni për të denoncuar këtë shkelje të disa prej punonjësve të OSHEE. “Në vitin 2007, mua më vendosën një sërë faturash aforfe me mbi 2000 kw. Pasi i pagova disa prej tyre, vendosa t’i ankimoj dhe të denoncoj këtë padrejtësi të kryer nga punonjësit e OSSH (në atë kohë OSHEE). Pas disa kontrolleve të kryera në janar të vitit 2008, punonjësit e OSHEE gjatë një kontrolli më sekuestrojnë matësin e energjisë elektrike dhe një muaj më vonë më sjellin një gjobë prej 660 mijë lekësh sikur unë kisha matës të pakolauduar”, shprehet Llangozi.
Por hakmarrja e këtij institucioni nuk mbaron me kaq, pasi vendosin që ta dërgojnë për ndjekje penale mësuesin nga Durrësi nën akuzën e “Vjedhjes së energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.
Sipas hetimeve të organit të akuzës, punonjësit e OSHEE nuk kanë gjetur asgjë të paligjshme tek matësi gjatë kontrollit. Por të pabindur për këtë, punonjësit e OSHEE kanë sekuestruar matësin me pretendimin se do të dërgohet në laboratorin e KESH për ekzaminimin nga ku ka dalë se kishte ndërhyrje në brendësi. Por, Prokuroria e Durrësit tregohet e ftohtë në arsyetimin e saj, duke thënë se OSHEE nuk e provon implikimin e Bektash Llangozi për akuzën e “Vjedhjes së energjisë elektrike”. Kjo pasi sipas Prokurorisë, banori i lagjes nr. 17 në qytetin bregdetar rezulton i vetmi në këtë zonë që është pagues, një pagues i përmuajshëm i energjisë elektrike.
Duke u mbështetur tek këto prova, organi i akuzës në qershor të 2008 pushon çështjen penale të ngritur ndaj mësuesit Bektash Llangozi. Sipas qytetarit, në deklarimet përballë Prokurorisë punonjësit e OSHEE kanë pranuar se kanë prishur me qëllim vulat e matësit pak ditë përpara se ta sekuestronin.
“Punonjësit e OSHEE e kanë pranuar se në një nga kontrollet e kryera kanë prishur vulat e matësit me pretendimin se e kanë bërë për t’i ndërruar me të reja. Me këtë shkak më pas e kanë sekuestruar matësin, ndërsa kanë vendosur edhe gjobën. Ata më kanë kërkuar falje përpara prokurorit të çështjes për këtë veprim të ndërmarrë nga ana e tyre”, shton më tej mësuesi nga Durrësi.
Pas 6 vitesh, në kohën kur “Rilindja” kishte nisur aksionin për energjinë elektrike, OSHEE i kërkon qytetarit nga Durrësi që të paguajë gjobën prej 660 mijë lekësh, por tashmë absurdi qëndron se duhet ta paguajë me kamatë dhe që shkonte në 1.3 milionë lekë.
Kësaj here OSHEE nuk bën kallëzim penal, por ushtron presion në një mënyrë tjetër. Drejtori i shkollës 9-vjeçare në Durrës, ku Bektash Llangozi jep mësim sot e kësaj dite, i bën shantazh me vendin e punës në rast të refuzimit të pagesës së gjobës së OSHEE.
“Drejtori më dha një urdhër gojor dhe asgjë të shkruar. Më bëri presion me vendin e punës nëse nuk paguaj gjobën e vendosur nga OSHEE, pavarësisht se unë kisha një pushim çështje nga Prokuroria që vërtetonte pafajësinë time”, shprehet Llangozi.
I gjetur përballë presionit ku duhet të siguronte bukën e gojës dhe të mbante vendin e punës, Llangozi lidh një akt-marrëveshje me OSHEE në nëntor të vitit 2014 dhe kryen pagesën e padrejtë. Qytetari e paguan të gjithë gjobën me kamatëvonesë dhe për këtë përfiton një zbritje nga 1.3 milionë lekë në 800 mijë lekë.

Exit mobile version