Infantino: Beckenbauer? Të flasë drejtësia!

Ndeshjen miqësore Itali – Francë që u zhvillua në qytetin e Barit e ndoqi nga tribuna VIP edhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Prania e kreut të qeverisë së futbollit botëror në “San Nicola” nuk ishte e rastësishme, përkundrazi lidhej me përdorimin e pamjeve filmike në rastet kur gjyqtari ka dyshime për episode të veçantë në fushën e blertë. Në minutën e 33-të Danielle de Rossi goditi me kokë brenda zonës së Francës dhe topi u godit në krahun e Kurzawas.
Holandezi Kuipers vendosi të vijonte lojën, por për ta bërë këtë pyeti asistentët e tij që ndodheshin përpara një monitori në një automjet jashtë stadiumit nëse vendimi që kishte marrë ishte i drejtë. Përgjigjja ishte po. Nuk do të ketë më gola me dorë si ai i Maradonës i shënuar ndaj Anglisë në Botërorin e 86-ës, shprehet presidenti i FIFA-s, që e konsideron historike përdorim e moviolës në fushë.
“Ishte një mbrëmje e veçantë dhe historike për futbollin, këtë duhet ta themi. Për herë të parë ne testuam përsëritjen e pamjeve në fushë, duke e ndihmuar gjyqtarin në disa raste”, tha ai.
Nga përdorimi për herë të parë i pamjeve filmike tek hetimet ndaj Franz Beckenbauer, që akuzohet për pastrim parash nga Prokuroroia e Zvicrës, çështje që ka lidhje me caktimin e Gjermanisë si vendi organizator i botërorit të 2006-ës. “Unë nuk mund të komentoj hetimet paraprake, por sigurisht që nuk është një situatë e mirë. Shpresoj që drejtësia të sqarojë gjithçka dhe në të shohim përpara. Nëse dikush ka bërë gjëra të gabuara, sigurisht që duhet të ketë sanksione të ashpra”, tha Infantino.
Infantino, një jurist me origjinë italiane, premtoi transparencë të plotë nga institucioni që ai drejton, pas skandeleve që njëpasnjëshme që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e FIFA-s. “Ne kemi nisur transparencëm dhe po implemtojnë reformat tona. Nëse flasim për Botërorin 2026, sigurisht që procesi i përzgjedhjes së vendit organizator do të jetë transparent. Ne duhet të mësojmë nga eksperiencat ndoshta dhe jo shumë të mira dhe të përpiqemi t’i bëjmë gjërat sa më drejt”, përfundoi Infantino.