Basha: Ndryshim i vërtetë fillon me largimin e Ramës

Kryetari i PD,  Lulzim Basha ka reaguar dje pas largimit të Edmond Haxhinastos nga posti i Ministrit të Transporteve. Përmes një reagimi për mediat, Basha tha se “Ndryshimet në qeveri nuk sjellin as gëzim, as shpresë. Nuk sjellin gëzim sepse të gjithë e dinë që batërdia me tenderat publikë, me koncesionet dhe mënyrat e tjera për të vjedhur buxhetin e shqiptarëve, që për tre vite ka rezultuar në zhdukjen e mbi tre miliardë eurove, nuk do të ndalojë por do të vazhdojë e do të intensifikohet. Nuk ka shpresë nga ky ndryshim në qeveri apo nga ndryshime të tjera sepse të gjithë e dinë se përkeqësimi i thellë i jetës së shqiptarëve me taksa të rritura, me rënien e fuqisë blerëse, me shpunësimin dhe varfërimin masiv si rezultat i politikave të qeverisë “Rama” nuk ka asnjë shans të ndryshojë tashmë që qeveria është në ditët e saj të fundit” u shpreh kreu i PD.
Nga ana tjetër, Basha theksoi se ndryshimi i vërtetë që do të ngjallte shpresë dhe gëzim tek shumica e shqptarëve, jo vetëm tek opozita, do të ishte largimi i Edi Ramës. “Njeriu i cili jo vetëm dështoi të përmbushë edhe një premtim të vetëm para shqiptarëve, por që provoi se rilindja e tij nuk ishte gjë tjetër veçse skema për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve, bregdetin e shqiptarëve, mineralet, shërbimet, tenderat.
Ishte projekti për t’i dorëzuar Shqipërinë krimit që e ka mbuluar me drogë nga jugu në veri. Ishte projekti për ti detyruar shqiptarët të zgjedhin midis varfërisë, burgut apo emigracionit. Ndaj lëvizja e sotme është pritur me indiferencë të madhe nga qytetarët shqiptarë” tha Basha.
Kreu i PD, Basha tha se për opozitën shqiptare, për Partinë Demokratike, për alternativën tonë është një tregues i qartë që qeveria ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik. Basha tha se ndryshimi i vërtetë do të nisë me largimin e Edi Ramës.
“Se varka e shpuar e qeverisë nuk është më në gjendje të përballojë as detyrat më akute të qeverisjes që janë rendi dhe siguria, në radhë të parë, lufta kundër krimit, shteti ligjor dhe respektimi i të drejtave elementare të qytetarëve. Por është kthyer në armiken kryesore të shqiptarëve, me papunësinë e shtuar, me varfërinë e thelluar, me krimin e veshur me pushtet. Ndaj shqiptarët po bashkohen nga dita në ditë në një koalicion të madh që i tejkalon vijat dhe profilet politike, për të realizuar ndryshimin e vërtet që funksionon për ta, jo për partitë politike, as për koalicionet. Dhe ky ndryshim i vërtetë fillon me largimin e Edi Ramës”.