Ballina Sport Basha: Ndaj Maqedonisë ta nisim me fitore

Basha: Ndaj Maqedonisë ta nisim me fitore

Fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe në Kombëtaren shqiptare janë të vetëdijshëm se kjo shprehje është shumë e vlefshme. Fati i goglave solli që rrugëtimin drejt Botërorit 2018, kuqezinjtë ta nisin në shtëpi ndaj Maqedonisë. Migjen Basha gjen frymëzimin tek sfida e Aveiros ndaj Portugalisë, më 7 shtator të 2014-ës, aty ku nisi mrekullia kuqezi drejt Europianit francez. “Duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe të fillojmë me fitore ndaj Maqedonisë. Fitorja në ndeshjen e parë të jep krahë dhe këtë e pamë me Portugalinë”, u shpreh Basha.
Mesfushori 29-vjeçar e nisi titullar miqësoren ndaj Marokut, ku ekipi tregoi qëndrueshmëri në lojë edhe pse përdori disa variante taktike dhe ndryshime të shumta gjatë lojës. Basha ka një mesazh për të gjithë ambientin kuqezi, duke kërkuar vlerësim maksimal për Maqedoninë. “Sot fillojmë të shohim kundërshtarin, e njohim dhe e dimë që është i vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë. Nëse mendojmë se Maqedonia është kundërshtar i lehtë dhe duhet mundur, atëherë gabojmë rëndë. Nëse futemi në fushë me Maqedoninë për barazim, atëherë jemi të humbur”, tha ai.
Pas arritjes në finalet e Europianit të gjithë presin një fushatë eliminatore pozitive, pse jo me një tjetër udhëtimin në verën e 2018 drejt Rusisë. I ngacmuar për objektivat që vendos stafi teknik Migjen Basha tregohet i qartë. “Objektivi varet nga kundërshtari që kemi përballë, ende nuk kemi vendosur për një taktikë të mirëfilltë. Trajnerët flasin me mënyra të ndryshme me median dhe ndryshe me lojtarët”, tha Basha.
Ngërçi i kësaj skuadre është sulmi, pasi në 5 ndeshjet e fundit, miqësore dhe zyrtare janë shënuar vetëm 2 gola. Analiza e mesfushorit të Barit nis që nga ecuria e Europianit për të përfunduar me recetën e dhënë nga trajneri De Biasi për të rregulluar këtë mangësi. “Kemi patur kundërshtarë të vështirë në Europian, ndoshta na ka munguar guximi për të sulmuar. Humbjet me Zvicrën dhe Francën nuk i kemi merituar, por është e vërtetë që duhet të shënojmë gola. Nuk është faji i sulmuesve, por i lojës sonë, pasi mesfushorët e krahut duhet të ndihmojnë më shumë. Këtë do ta shohim të hënën”, tha ai.
Migjen Basha është një nga ata futbollistë që në të shkuarën ka luajtur për skuadrat e moshave të Zvicrës, dhe më pas zgjodhi fanellën kuqezi. Debati nëse duhet zgjedhur Shqipëria apo Kosova e konsideron një çështje që nuk mund t’i japë zgjidhje, teksa shpreh i bindur të ardhmen e tij. “Gjithmonë kam patur si objektiv Shqipërinë, pasi prita 3 vite e gjysmë për të luajtur këtu dhe nuk mendoj asnjë lëvizje tjetër. Lëvizjet drejt Kosovës i konsideroj si zgjedhje personale”, përfundoi Basha.

Exit mobile version