Në Maqedoni pritet formimi i qeverisë teknike

Në Maqedoni pritet formimi i qeverisë teknike pas marrëveshjes së arritur mbërmë që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më 11 dhjetor. Dy herë gjatë këtij viti zgjedhjet e parakohshme nuk arritën të zhvilloehn në datat për të cilat ishte rënë dakort më parë. Komuniteti ndërkombëtar u bëri thirrje partive që zgjedhjet e 11 dhjetorit të jenë të besueshme. Nga Shkupi njofton korrespondenti ynë Isak Ramadani. Vendimi i të mërkurës në mbrëmje i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohëshme, është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar. Bisedimet e gjata ndërmjet drejtuesve politik rezultuan në fund me pëlqimin e tyre që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përmes një komunikate të përbashkët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë procesin zgjedhor, që t’u mundësojnë qytetarëve të zgjedhin lirshëm, ndërsa pas zgjedhjeve të formojnë qeverinë e cila do të merrej me reforma thelbësore dhe që do të punonte në interes të të gjithë qytetarëve. Mogherini dhe Hahn theksojnë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për gjithë procesin për ta ndihmuar vendin që të kthehet në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Edhe ambasadori amerikan Jess Baily, i cili që nga fillimi i këtyre bisedimeve para më shumë se një viti ka qenë ndërmjetës për arritjen e një zgjidhjeje, thekson se është me rëndësi të jashtëzakonshme që partitë, mjetet e informimit dhe vetë qytetarët të bashkëveprojnë në lidhje me përparimin e vendit. “Vendimet duhet ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të besueshme, drejt reformave që do të rezultonin me integrimet euro-atlantike”, tha ambasadori amerikan. “Në fund, ajo që është më e rëndësishme, është opinioni i vetë qytetarëve të këtij vendi, se a u besojnë këtyre zgjedhjeve, a do të sjellin ato rezultat të drejtë, sa janë plotësuar kriteret, kjo është çështje para së gjithash e qytetarëve të këtij vendi”, tha ambasadori Baily. Ai shtoi se mjetet e informimit kanë një rol të rëndësishëm në informinin e drejtë të qytetarëve, ndërsa i bëri thirrje medias që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të njoftuar mbi çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, për personalitetin e kandidatëve që do të garojnë për ta drejtuar vendin.” Ndërkohë, edhe katër drejtuesit politik presin një proces të drejtë, ndonëse midis Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit vazhdon të mbizotërojë mosbesimi.