“Punonim në të zezë, drejtësi për vëllanë”

Familjarët e Ardit Gjoklajt, 17 vjeçarit që humbi jetën për shkak të kushteve çnjerëzore në Landfillin e Sharrës kërkojnë drejtësi. Ata iu bashkuan dje protestës së PD para bashkisë ku njëzëri kërkuan ndaljen e përpjekjeve të autoriteteve të urdhëruara nga Veliaj për të fshehur ngjarjen e rëndë. Partia Demokratike organizoi një aksion qytetar para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar drejtësi për Arditin, 17-vjeçarin që vdiq më 6 gusht në Landfillin e Sharrës.
Mesazhi i këtij aksioni ka të bëjë me përgjegjësinë që ka drejtpërdrejt Erion Veliaj në këtë histori krimi dhe korrupsioni dhe përpjekjet që ai po bën për ta mbyllur çështjen. Kësaj proteste iu bashkuan shumë të rinj, qytetarë të Tiranës dhe familjarët e Arditit. “Unë dua drejtësinë e vëllait tim. Edhe unë kam qenë në Landfillin e Sharrës. Kam punuar dy muaj atje. Në landfill punohej pa siguracion, pa veshje, pa maska dhe pa asgjë mbrojtëse. Unë dua drejtësinë e vëllait tim, sepse e kanë masakruar dhe pastaj e fshehën për të mos treguar”, u shpreh Ardian Gjoklaj, vëllai i Arditit.
“Mora vesh nga media që para Bashkisë së Tiranës do ishte ky tubim i madh. Kam ardhur t’i bëj një thirrje qytetarit të parë të Tiranës si familjar, edhe si shqiptar. Të mos mundohet askush që të përgënjeshtrojë këtë rast që na ka ndodhur, ne me 5 vrasje në familje. Mirë që na kanë vrarë djalin, por edhe kanë mbuluar krimin. I kërkoj atij që të përdorë levat shpirtërore, shoqërore, njerëzore, edhe ligjore dhe të zbardhin çështjen, dhe të mos mohohet ngjarja. Çdo gjë e Arditit ndodhet në landfill edhe sot. Fatkeqësia ka qenë e jona dhe i kam kërkuar Erion Veliajt përmes medias dhe i them prapë, të vijë në familje siç më kanë ardhur mijëra shqiptarë nga çdo anë dhe më kanë thënë: të rroni vetë, dhe këtë ta thotë edhe kryetari i familjes së madhe të Tiranës, por jo të spekulojë që jo ka qenë dhe jo ska qenë Arditi në punë se unë kam lëvizur me përgjegjësin dhe drejtorin e ndërmarrjes, duke e kërkuar. Kjo gjë na rëndon shumë. Eshtë gjynah se ishte 17-vjeçar, duke punuar për të blerë libra”, tha Vuksan Gjoklaj, xhaxhai i Arditit.
“Sot jemi mbledhur këtu për Arditin dhe ai përfaqëson të gjithë ata që ndihmojnë familjen dhe punojnë për bukën e gojës. Si këshilltare e Partisë Demokratike ne do të bëjmë detyrën tonë. Lufta jonë nuk do ndalet derisa familja e Arditit që u zhyt në kthetrat e vdekjes të mos jetojë në kthetrat e varfërisë. Ne do të kërkojmë që të mundësohet strehimi i familjes së Arditit dhe që vëllait të tij t’i mundësohet një bursë. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për këtë që ka ndodhur”, deklaroi Klodiana Shala,

Këshilltare e PD në Bashkinë e Tiranës
“Historia e kryebashkiakut që qesh është në fakt historia e një vampiri. Një vampir, i cili do të përpijë dhe të thithë gjakun e çdo qytetari të Tiranës për të krijuar parajsën e vet financiare. Jemi në një rast tragjik. Me një kauzë që nuk është më vetëm e familjarëve, por edhe e qytetarëve. Kauza e Arditit është kauza e gjithë shoqërisë shqiptare. Kauza e Arditit është një kauzë që tregon nëse drejtësia në këtë vend do të jetë për të bërë drejtësi, që të ketë drejtësi edhe për të dobëtin. Që ligji të funksionojë edhe ndaj më të fortit, kryetarit të Bashkisë, kryetarit të Edi Ramës në PS-në së Peqinit, që mbrohet prej tij.
Ka tentativa për ta mbuluar ngjarjen, pavarësisht dëshmisë së familjarëve për makabritetin e këtij akti, tentativa nga kryebashkiaku i Tiranës, i cili është pronar i drejtpërdrejtë dhe përgjegjës i drejtpërdrejtë për atë paligjshmëri atje, duke nisur nga mosvendosja e administratorit. Nuk e ka vendosur siç e parashikon ligji ose e ka hequr, pasi ka ndodhur ky krim makabër. Dhe Ardiani e tregon me dëshminë e vet që ka punuar bashkë me vëllain, që i kanë trajtuar si kafshë, duke u thirrur me lista emërore pa asnjë kusht teknik, pa siguracione. Pa zbatuar Kodin e Punës siç e ka detyrimin kryebashkiaku edhe si administrator, si pronari dhe si dhe thirrësi që ka kërkuar që këta qytetarë të punojnë në landfillin e tij personal.
Mediat kanë nxjerrë dëshmi tronditëse. Kanë pyetur qytetarë të ndryshëm dhe kanë gjetur edhe fëmijë 10-vjeçarë, të cilët detyrohen të punojnë në punë të zezë në këtë landfill. Dëshmi që flasin se si shfrytëzohen këta në mënyrë të pashpirt nga Erion Veliaj dhe nga pronari i kompanisë që është i mbrojturi i Edi Ramës, kryetar i PS-së në Peqin. Punojnë 18 orë në ditë si Ardiani 18 vjeç dhe Arditi 17 vjeç, dhe nëse bëjnë 1 minut pushim i keqtrajtojnë. Kapin shiringa me dorë, qelqe, pa masa mbrojtëse, ndërkohë që ky biznes i Erjon Veliajt nxjerr 50 milionë lekë në ditë. Nuk mjafton me kaq, sepse pavarësisht se ndodhi ky krim shtetëror, ky makabritet për qytetarët, kryebashkiaku Veliaj tenton të manipulojë dhe censurojë mediat, tenton që lajmin për vrasjen ta mbyllë e ta fshehë, ashtu siç bën tentativë me Edi Ramën, presione mbi Prokurorinë dhe institucionet që të mos e hetojnë këtë ngjarje, sepse përgjegjësi i drejtpërdrejtë për këtë akt korruptiv dhe kriminal është Erion Veliaj. Partia Demokratike është në mbështetje të familjarëve të Arditit, të kësaj kauze, dhe ne nuk do të gjejmë qetësi derisa Arditi të marrë drejtësinë e merituar”, u shpreh Ervin Salianji, Sekretar për Aksionin Qytetar në PD.