Ballina Kryesore Hajduti i Dibrës, 790 milionë lekë për shkollën e Maqellarës

Hajduti i Dibrës, 790 milionë lekë për shkollën e Maqellarës

98 milionë lekë më shumë i jepen njërit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve

Me një ofertë prej 98 milionë lekësh më shumë, kompania e Sadri Abazit është favorizuar sërish duke fituar një tender prej 790 milionë lekësh për ndërtimin e një shkolle. Partia Demokratike denoncoi dje tenderin e radhës të fituar nga Sadri Abazi, i cili është duke zhvatur fonde të majme për t’i përdorur ato për blerje votash në Bashkinë e Dibrës. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se tenderi jo vetëm që i është dhënë Abazit, por ai e ka përfituar atë duke paraqitur ofertën më të lartë.
“Nuk ndalen tenderat që Edi Rama ndan mënjanë për oligarkun e tij Sadri si këste për blerjen e votës në Dibër dhe pasurimin e tyre të mëtejshëm.
Çdo tender është i vlefshëm për të marrë copën e radhës nga paratë e shqiptarëve për interesat klienteliste e të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.
Sadriu i Ramës ka kapur së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerën totale prej 790 milionë lekësh.
Edhe kësaj radhe si përherë me tenderat e Ramës për Sadriun fiton oferta më e lartë, e kompanisë së tij ‘Alko Impex’, me diferencë me ofertën më të ulët me 98 milionë lekë”, u shpreh Zhupa.
Zëdhënësja e PD denoncoi se këto para Sadri Abazit po i jepen enkas për t’u përdorur për blerjen e votave në zgjedhjet e Dibrës.
“98 milionë lekë më shumë që i jepen njërit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve. Me këto para që ju përkasin qytetarëve mund të ishin paguar 1430 pagesa papunësie për dibranët, mund të kishin një punë me pagë minimale 445 pjesëtarë të familjeve dibrane. Me këto para mund t’i merrnin pensionin e tyre për një jetë me pak më shumë dinjitet 652 pensionistë në qytet dhe 1186 pensionistë në fshat. Por jo, asgjë nga këto nuk ndodh sepse Rama zgjedh t’i shpërdorojë paratë e qytetarëve duke ja dhënë oligarkut të tij me mision të veçantë. Ndërsa qytetarët do të zgjedhin shumë shpejt që të përdorin votën e tyre për të larguar nga pushteti në Dibër e më pas në gjithë Shqipërinë të gjithë Ramët dhe Sadritë e tyre. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha ndër të tjera Zhupa në fjalën e saj.
Sadriu qëndron në krye të listës së tenderave që përfitohen nga njerëzit pranë pushtetit. Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit. Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi.
Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën. Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Exit mobile version