Turqia tërhiqet nga akuzat

Turqia po i tërheq deklaratat se sulmi i së shtunës në një dasmë kurde, ku humbën jetën 54 vetë, ishte akt vetëvrasës nga një fëmijë i dërguar nga Shteti Islamik. Askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin, por mënyra e realizimit të shpërthimit dhe bomba e përdorur janë të ngjashme me shpërthime të tjera për të cilat është fajësuar Shteti Islamik në të kaluarën:
“Lidhur me sulmin, pa diskutim ishte një shpërthim i fuqishëm. Por ende nuk kemi gjetur gjurmë të autorit. Deri tani janë vetëm hamendësi të bazuara në rrëfimet e dëshmitarëve. Nuk është mirë të bëhen hamendësi për autorin e sulmit dhe organizatën që e mbështeste. Nuk mund ta mbështesim këtë praktikë, pasi nuk i shërben informimit korrekt të opinionit”, tha Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim.
Autori i sulmit vuri në shënjestër një dasmë kurde në Gaziantep, një qytet 60 kilometra në veri të Sirisë dhe një destinacion i njohur për ata që përpiqen t’i shpëtojnë konfliktit pesëvjeçar në Siri. Në qytet ka një kamp të madh refugjatësh sirianë.
Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan e ka përshkruar autorin e sulmit si një djalë 12-14 vjeç të dërguar nga ISIS. Thuajse të gjitha viktimat ishin kurdë nën moshën 18 vjeç.
Çifti i sapomartuar foli me gazetarët dje, duke shprehur dhembjen për të afërmit e vrarë: “E shndërruan ditën tonë më të lumtur në skëterrë. Nuk më kanë mbetur më kushërinj. Të gjithë u vranë”, tha dhëndri. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por akte të ngjashme me shpërthimin në Gaziantep, si dhe bomba e përdorur janë vërejtur në incidente të mëparshme për të cilat është fajësuar Shteti Islamik.