Raporti i FSI: Shqipëria, shtet drejt konfliktit e dështimit

Një raport i hartuar nga FSI (Fragile States Index) paralajmëron se Shqipëria është në mesin e vendeve drejt konfliktit dhe dështimit. Indeksi “Shtetet e brishta” apo “Fragile States Index”, i hartuar nga organizata amerikane “Fondi për paqe”, është një mjet i rëndësishëm për të treguar jo vetëm presionet e zakonshme që ekzistojnë në shtete të ndryshme, por edhe në përcaktimin se kur këto presione po e çojnë vendin drejt dështimit. Duke theksuar çështjet në shtetet e dobëta apo drejt dështimit, indeksi bën vlerësime të rreziqeve politike dhe paralajmërime të hershme për konflikte, që janë të aksesueshme për politikëbërësit dhe publikun. Indeksi vlerëson 178 vende bazuar në nivelin e qëndrueshmërisë dhe presioneve që përballen. Vendet ndahen në të qëndrueshme, sigurta, nivel paralajmërues dhe në alarm. Këtë herë renditja bëhet nga fundi dhe Shqipëria renditet në vend të 124-¬t, duke u paralajmëruar. Vendin e parë, me presionet më të mëdha dhe në prag të dështimit e zë Somalia, ndërsa vendi më i qëndrueshëm që renditet i fundit, është Finlanda. Megjithatë, sipas indeksit, në tendencat e dekadës, përmirësimin më të fortë e ka patur Moldavia ndërsa përkeqësimin më kritik, Libia. Ndër kategoritë, që bëjnë vlerësimin përfundimtar, Shqipëria ka patur cenueshmërinë më të madhe nga “largimi i kapitalit njerëzor”, duke marrë 7.6 pikë negative nga 10-¬të. Kur vendi dështon të arrijë detyrimet ndërkombëtare apo të brendshme, aktorë të huaj mund të ndërhyjnë për të ofruar shërbime apo rregulluar punët e brendshme. Konteksti i mësipërm përfshihet në kategorinë “Ndërhyrjet nga jashtë”, që është e dyta më e dobët për Shqipërinë, me 6.4 pikë negative nga 10. Për presionet në lidhje me refugjatët Shqipëria ka rezultuar mirë, me 3.3 pikë nga 10. Një kategori tjetër ku Shqipëria cenohet lehtë dhe ka marrë vlerësim të mirë me 3.8 pikë nga 10, është “Zhvillimi i pabarabartë”.