600 mijë euro për këshillat nga vajza!

Studios belge të arkitekturës, “51N4E”, i ka ndritur fati që kur u njoh me Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Së fundmi, kjo studio, do të marrë prej taksapaguesve shqiptarë plot 600 mijë euro, si fituese e një tenderi të zhvilluar nga qeveria shqiptare në maj të këtij viti.
Kjo shumë mjaft e madhe do t’u jepet belgëve, jo për ndonjë projekt konkret, por për “shërbime konsulence” për qeverinë shqiptare. Kompania belge (bashkë me dy të tjera që janë bashkuar me të) ka fituar një kontratë prokurimi “për shërbime projektimi për projekte të financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve (FZHR), Bashkia Tiranë”, thuhet në formularin e njoftimit të fituesit.
Agjencia e Prokurimit Publik njofton shoqërinë “51N4E”, në një adresë në Tiranë, se oferta e saj, me vetëm 0,5% ulje nga vlera e fondit limit të tenderit, është identifikuar si e suksesshme.
Ata që e njohin historinë e kësaj kompanie në Shqipëri dhe afërsinë e saj me Edi Ramën, që kur ky ishte kryetar bashkie, me siguri nuk kanë patur dyshime që oferta e kompanisë belge do të shpallej e suksesshme që kur ajo ka hyrë në këtë garë. “51N4E” është autore e disa projekteve në Shqipëri, ku është akuzuar disa herë për lidhje të dyshimta me Kryeministrin shqiptar. Kur ai drejtonte Tiranën, kompania në fjalë ka bërë disa projekte, si projektin fillestar të Sheshit “Skënderbej”, kullën TID dhe siç u vërtetua së fundmi, edhe projektin e rikonstruksionit në godinën e Kryeministrisë sapo aty vuri këmbën Edi Rama.
Por përveç projekteve të fituara në Shqipëri, kompania belge do të paguhet nga shqiptarët edhe me 600.000 euro “për shërbime konsulence”, duke hyrë kështu në një konflikt të hapur interesi. Studioja në fjalë edhe merr pjesë në gara për projekte të caktuara, por njëkohësisht do t’i këshillojë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe Bashkisë së Tiranës se cilat projekte të financojnë ose do të ofrojë vetë shërbime projektimi për projekte tashmë të financuara nga taksapaguesit shqiptarë. Një sukses të tillë, në një vend si Shqipëria, pronarët belgë të kësaj studio nuk do ta kenë menduar kurrë.
Por çfarë kapacitetesh ka në Shqipëri kjo studio që do të menaxhojë një kontratë prej 600 mijë eurosh? Sa njerëz punojnë në zyrat e saj dhe kush i drejton ata? “ABC News” provoi të verifikonte aktivitetin e kësaj kompanie dhe të komunikonte me drejtuesit e saj.
Studioja belge e ka regjistruar aktivitetin e saj në Shqipëri në fund të vitit 2008, me emrin që ka edhe në Belgjikë, “51N4E”, si degë e shoqërisë së huaj. Ajo ka ndërruar disa herë adresë, për të patur së fundi selinë e saj në rrugën “Thanas Ziko”, adresë kjo që i referohet edhe Agjencia e Prokurimit Publik në shpalljen fituese të tenderit prej 600 mijë eurosh.
Selia, e cila ndodhet në zonën e Medresesë, në fakt rezulton një apartament në një pallat ku ka vetëm shtëpi banimi. Asnjë tabelë apo shenjë që të tregojë emrin e kompanisë së famshme belge. Atje, është e pamundur të gjesh njerëzit që projektojnë dhe do të projektojnë të ardhmen e zhvillimit të rajoneve shqiptare.
Për këtë arsye, “ABC News” telefonoi në numrin e regjistruar në regjistin tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Por një zë femëror që u përgjigj, nuk pranoi të japë të dhëna për adresën e saktë të kompanisë dhe as të komunikojë me gazetarët. Në të dy rastet që “ABC News” i telefonoi numrit që mendohet të jetë ai i kompanisë belge, sipas regjistrit zyrtar, telefoni i mbyllet brutalisht.
Në pamundësi për të komunikuar direkt me përfaqësues të studios belge, të dhënat e QKR mbetën e vetmja mundësi për të mësuar se kush janë njerëzit që drejtojnë aktivitetin në Shqipëri. Përfaqësues i kësaj kompanie figuron Peter Swinnen, një person ky i përfshirë në një skandal në Bruksel në lidhje me “Atelier Albania”, një nismë e Kryeministrit Rama. Peter Swinnen, ish-arkitekti i qeverisë flamane në Belgjikë, i cili shpalli fituesin e tenderin për këshillimin e “Atelier Albania”, është shkarkuar nga detyra në prill 2015, pas dyshimeve për abuzime me këtë tender. Mediat më të njohura në Belgjikë, shkruan se përzgjedhja e Shqipërisë për realizimin e disa projekteve belge nuk ishte e rastësishme, pasi Swinnen ka lidhje të forta me qeverinë shqiptare.
Një raport i Qendrës së Auditimit Financiar të qeverisë flamane nxori në pah, se informacioni paraprak që shpallësi i tenderit, Peter Swinnen,i ka dhënë fituesit të tenderit ka krijuar një garë të pandershme. Si rrjedhim, fituesi ka qenë i favorizuar në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, Peter Swinnen është shkarkuar.
Por pasi Swinnen u shkarkua nga detyra e tij në Belgjikë si këshilltari më i rëndësishëm për arkitekturë në qeverinë flamane, kjo nuk ishtë pengesë për Shqipërinë për t’i dhënë kësaj kompanie të regjistruar në emrin e tij një tender prej 600.000 eurosh.