Vdekja e Marnikollajt, Nishani do thërrasë prokurorin dhe ministrin e Drejtësisë

Presidenti i Republikës ka ndjekur me shqetësim informacionet e përcjella nga media rreth ngjarjes ku ka humbur jetën në Athinë, Greqi qytetari shqiptar, Pëllumb Marnikollaj. Në këtë kuadër, përfaqësi e kabinetit të Presidentit të Republikës ka kontaktuar dhe marrë takim me familjarë të të ndjerit ku ka përcjellë ngushëllimet më të ndjera të kreut të shtetit për humbjen e jetës të të dashurit të tyre. Në këtë takim, familjarët e të ndjerit kanë informuar mbi dijeninë e tyre rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në një komisariat të policisë në Athinë dhe kanë kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarje. Në këtë kontekst, përfaqësuesi i kabinetit shprehu angazhimin institucional të kreut të shtetit për të ndjekur me seriozitet dhe në vijimësi hetimin e kësaj çështje pranë autoriteteve përkatëse. Presidenti i Republikës do të thërrasë në takim pune prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Drejtësisë për t’u informuar rreth hapave të ndërmarrë dhe për ndjekjen deri në zbardhjen e të vërtetës me transparencë për këtë ngjarje.

Shqiptarët në burgun e Trikallas grevë për vdekjen e Marnikollajt
Shqiptarët e dënuar në burgun e Trikallas në Greqi kanë hyrë në një grevë 48-orëshe, si shenjë proteste ndaj vrasjes nga policia të të riut nga Lezha, Pëllumb Marnikollaj. Fabio Dushku, miku i viktimës që po vuan dënimin në këtë burg, tha: “E kisha shok Pëllumbin. Kemi qenë bashkë në burg. Ai u lirua 3 muaj më parë. Ishte normal dhe i qetë. Në vitin 2008 u dënua për ca vjedhje, me të cilat s’kishte lidhje. Më ka thënë që babai i tij kishte një linjë autobusësh dhe s’kishte nevojë as të vidhte, as të bënte gjëra të tilla. I kemi dërguar peticion, Ministrisë së Drejtësisë për të zbardhur ngjarjen, ndryshe do të ketë përshkallëzim të grevës. Si fillim do të mbajmë një grevë 48-orëshe dhe më pas do të kemi dhe reagime të tjera”, përfundoi Dushku.